KOLUMNE
Jamesi për Pogbën
Shkruan: LUAN MORINA
18 May, 2017 @12:23
Jo, nuk është ide shkëmbimi. Kalim i James Rodriguez në Manchester United do të ishte gjë e përkryer për të gjitha palët e përfshira.
Kolumbiani është njëri prej 10-sheve klasike kualitative pak të mbetur në futboll sot. Ai ofron pothuajse të gjitha aftësitë të nevojshme për këtë pozitë. Edhe arsyeja e vetme pse ai largohet prej Realit është për shkak të formacionit që luajnë madrilenët. Po të ndryshonin formacionin në ndërkohë, prapë Reali do të kishte mjaft alternativa për 10-sh.
Jamesi ka cilësinë e 10-shit ma të mirë se krejt 10-shat tjerë në Premier League për momentin. Unë do të përmend vetëm dy – Ozilin edhe Coutinhon.
Jamesi ofron vazhdueshmëri më të mirë se gjermani, për atë kohë sa është i shëndosh. Ai është më i përgatitur psiqikisht edhe fizikisht se sa Ozili kur janë në fushë. Jamesi mund të luaj edhe si krahë nëse është e nevojshme, e edhe si mesfushor qendror. Diçka që Ozili nuk mund të bëj, sidomos kur nuk ka dikë në mesfushë ti ofroj topa. Për të njëjtat arsye James është më i mirë edhe se Coutinho. Kësaj i shtojmë edhe pjekurinë e kolumbianit i cili ka një përgatitje psikike, një maturi edhe urtësi më të lartë se braziliani.
Me Jamesin në ekip, Mourinho mund të luaj 4-2-3-1 që është formacioni i tij i preferuar; mund të luaj edhe 4-3-1-2; dhe nëse është e nevojshme edhe 4-3-3, e 3-5(4-1)-2. James do të ishte opsioni i parë për pozitën e mesfushorit ofanziv, edhe për shkak të kalendarit të ngjeshur në Premier League, Mata do ta zëvendësonte me aftësi jo shumë të largëta në cilësi.
Por, gjëja më kryesore është çlirimi i Pogbës.
Francezi ka qenë i detyruar të luaj edhe si mesfushor ofanziv veç e veç me përmbush çmimin për të cilin është blerë. Kjo s’do të ndodh kurrë! Ama, ajo çfarë mund të ndodh është që Pogba do të rehatohej në pozitën e mesfushorit qendror, në të cilën pozitën është prej më të mirëve në botë. Afër Herreras, edhe mbrapa një futbollisti teknik shumë më të mirë para tij, Pogba do të kishte më shumë hapësirë të lirë pa top për të lëvizur, edhe në rast se mbetet i lirë në gjuajtje nga jashtë zonës, mund të jetë vrastar.
Sipas nevojës, Manchester United mund të luante me një sulm 4-1; ose në rast të ndjekjes së golit me çdo kusht, edhe 4-3 duke pasur parasysh se njëri nga krahët e mbrojtjes do të duhej të qëndronte më pranë dyshes qendërmbrojtëse para së cilës do të ishte Herera.
Përndryshe, James do të ishte një distributor i shkëlqyeshëm i topave për krahët e sulmit, apo mbrojtjes; do të krijonte më shumë hapësirë për Pogbën; dhe do të sillte me vete talentin e tij e njërit nga mesfushori ofansiv më të mirë në botë. Për gjithçka nën 50 milionë euro, do të ishte ‘vjedhje’.