ADNAN JANUZAJ

Januzaj mund të debutoj më 26 maj për Belgjikën
29 April, 2014 @14:59
Pasi u definua se do ta përfaqësojë vendlindjen e tij, tani po pritet paraqitja e parë e Januzajt me fanellën belge. Krahu i Manchester United, Adnan Januzaj, do të jetë pjesë e ekipit belg për pjesën përgatitore të Kampionatit Botëror, Brazili 2014.
Debutimi me Luksemburgun!
Përzgjedhësi i Belgjikës, Marc Wilmots, i cili ishte njeriu i parë që njoftoi se Januzaj do të luaj për Belgjikën, tani ka bërë të ditur se emri i futbollistit me prejardhje nga Istogu do të jetë në listën prej 26-27 lojtarëve për dy ndeshjet miqësore të radhës.
Wilmots, që ka bërë të ditur javën e kaluar se Januzaj ka pranuar të luaj për Belgjikën, nuk i ka dhënë asnjë garanci djaloshit me origjinë kosovare që do të merr pjesë në ekipin 23 futbollistësh që do të udhëtojnë për Brazil.
“Dua ta shoh atë së pari në stërvitje. Në fazën e parë do t’i ftoj 26-27. Njëri prej tyre do të jetë edhe Adnani. Kërkojë nga lojtarët që ta tregojnë veten,” ka thënë Wilmots.
Januzaj sulmues!
Belgjika më 26 maj do të luaj kundër Luksemburgut dhe më 1 qershor kundër Suedisë. Wilmots për më tepër ka bërë të ditur për të përditshmen belge De Morgen se Januzaj do të testohet të luaj edhe si sulmues, pasi që Christian Benteke është i lënduar.
Këto ndeshje do t’i shërbejnë Belgjikës për t’u përgatitur sa më mirë për Kampionatin Botëror. Belgjika, që merr pjesë në Kampionat Botëror për herë të parë pas 12 viteve do të ndeshet me Algjerinë, Rusinë dhe Korenë Jugore në fazën grupore të Brazili 2014.