KF GJILANI
KA zbret dënimin e Gëzim Rusit
29 September, 2017 @10:21
Komisioni për Ankesa (KA) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka ulur dënimin e futbollistit të Gjilanit, Gëzim Rusi.
Njoftimin e ka publikuar FFK-ja, duke bërë të ditur se pas ankesës së palës lidhur me dënimin prej 3 muaj moslojë, ai është ndryshuar.
“Ndryshohet pjesërisht vendimi i Komisionit Disiplinor, i shkallës së parë dhe dënimi i shqiptuar për futbollistin e Gjilanit, Gëzim Rusi, prej 3 muajve i shndërrohet në 4 ndeshje sipas radhës të organizuara nga FFK-ja,” ka bërë të ditur njoftimi i KA-së, botuar dje, në emër të kryetarit të këtij komisioni, Afrim Prekazi.
Rusi u dënua më parë nga Komisioni Disiplinor i FFK-së me ndalesë loje për 3 muaj, për shkak të goditjes së kundërshtarit në fushë, kur lojtari rival nuk posedonte topin. Kjo ngjau në ndeshjen Gjilani-Vëllaznimi.