CITY - LIVERPOOL
Kampioni njofton liderin me humbje
3 January, 2019 @22:59
Në një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit në Premier League, City ka arritur ta mposhtë me rezultat 2-1 Liverpoolin, për ta bërë edhe më të ‘nxehtë’ garën për titull.
Ndeshja në fjalë ishte mjaft atraktive dhe dhuroi shumë emocione për futbolldashësit, e në fund fitores iu gëzua kampioni në fuqi i Anglisë.
Epërsinë Cityt ia dha i zakonshmi Sergio Aguero, për të cilin ky ishte goli i shtatë personal në takimet ndaj Liverpoolit në ‘Etihad Stadium’. Për 1-1 shënoi Firmino i mysafirëve pas një shërbimi fenomenal nga Robertson i krahut të majtë, ndërsa fitoren vendasve ia dha gjermani Leroy Sane, i cili shënoi me ndihmën e shtyllës.
Te Liverpooli në pjesën e dytë u inkuadrua edhe Xherdan Shaqiri, i cili nuk arriti ta shpëtojë nga humbja skuadrën e tij.
Kjo ishte humbja e parë e Liverpoolit në këtë sezon të Premier Leagues, humbje e cila bën që diferenca mes liderit, Liverpoolit, dhe Cityt, të jetë tashmë 4 pikë dhe gara për titull të ngushtohet edhe më shumë.