DITARI NR 14 @ EURO2016
Kanga e vjetër
Shkruan: Luan MORINA
26 June, 2016 @11:06
Rrethin e dytë besoj që shumica prej nesh e kanë prit të ketë më pak kalkulime dhe më shumë guxim nga trajnerët. Megjithatë ata e nisën me kalkulime, e pa guxim e cilësi. Ndeshja më e mirë e të shtunës në letër për 106 minuta nuk solli asnjë goditje në këndin e portës. Derisa ishim mësuar me portugezët në dy ndeshjet e tyre të para, kroatët kishin shkëlqyer si në dy të parat, si në të tretën, në të cilën edhe portugezët nuk kishin kursyer hungarezët. Së paku kam pritur më shumë guxim tek skuadrat e barabarta në cilësi kur takohen ndërmjet veti. PALIDHJE! Lojë e kotë, e mërzitshme.
Ngjashëm ishte edhe ajo ndërmjet kombëtareve të Mbretërisë së Bashkuar. Që të dyja kanë shfaqur deri më sot, e edhe sot, lojë kryesisht defensive. Sigurisht që një autogol ishte rruga e vetme të shënohej gol në këtë ndeshje. Dhe nuk ishte hiq më ndryshe se 45 minutat e para të takimit ndërmjet Uellsit e Anglisë.
Ndeshja më e mirë e ditës mbetet ajo ndërmjet Zvicrës dhe Polonisë. Duhet të pranojmë që polakët nuk janë aq të mirë. Derisa në mesfushë, në qendër të saj kishim të vendosur mesfushor defensiv në të dy anët, dhe që të dyja kryen punën e tyre me zell, ajo çfarë mbeti ishin krahët. Grosicki shfaqej më shumë, derisa Kuba si gjithnjë po tregohet vital në momentet e duhura. Milik është ka shfaqet tepër i dobët në sulm. Veç Lewandowski nëse ia kalon. Por, më i dobët se të dytë këtë kampionat ka qenë Seferovic. Ishte habi të shihja se ai mbyllte ndeshjen në fushë! Kur rrezikon si Petkovic, fut dy qendërsulmues, zhvendos dy mesfushë në krahë, dhe sulmon pareshtur edhe gjen golin. Dhe atë çfarë goli gjeti Xherdanin se!!! Bukuri! Ishte mëkat që zviceranët ranë. Edhe polakët nuk kanë qenë shumë të mirë përgjatë këtij kampionati. Dhe zor që do të përmirësohen tani kundër Portugalisë.
Portugezët nuk ishin, nuk janë kërkah! Ronaldo, si shumica e lojtarëve ‘më të mirë’ të ditëve të sotme pret që ekipi të luaj për të. Dhe në atë pozitë që vendoset, besoj me kërkesën e tij, nuk mund të udhëheq lojën. Për atë bie më pak në pozitë për të shënuar kur ke një mesfushë si të kroatëve përball.
Kombëtarja B e Kroacisë ishte e mrekullueshme kundër Spanjës. Por, marioneta e Mamiçëve kishte vendosur të kthente Brozovicin në 10sh, Badeljin përkrah Modricit, dhe në mbrojtje Strinicin e Vidën. Mbi të gjitha Mandzo nuk ka çfarë lyp në fushë para Kalinic. Kroatët kanë merituar të kalonin tutje për shkak të tri ndeshjeve tepër të bukura, sidomos rrënimi i Spanjës. Por, sot ishin më të tërhequr dhe kjo iu shpagua. Ishte lojë e kotë, e mërzitshme që na kujtoi shumicën e ndeshjeve të fazës së grupeve. Ishte ‘kanga e njëjtë’ si ajo e dy javëve të para.
Kur jemi tek kangët – ‘Will Grigg’s on fire.”
Edhe Sweet Caroline e këngë tjera janë përdorur në këtë kampionat që më shumë ka përmendur cilësinë dhe atraktivitetin që kanë ofruar grupet e tifozëve, përfshirë edhe të tanët, se sa lojtarët, kryesisht yjet që prisnim shumë dhe fansat rus e anglez.
Willin më s’do ta këndoj veri-irlandezët të cilët do të na mungojnë të gjithëve. Por, le të shpresojmë se do të ndryshoj ‘kanga’ e ndeshjeve të mërzitshme. Nëse edhe Anglia kundër Islandës, Gjermania kundër Sllovakisë, e Franca kundër Irlandës mbrohen e kalkulojnë të fitojnë ndeshjen me një gol, atëherë më mirë të shohim Wimbledonin. Për italianët e spanjollët dihet që një gol do të vendos. Ose do të ketë më së shumti gola në këtë rreth në atë ndeshje. Sidoqoftë, parashikimet janë të kota këto ditë. Dihen favoritët, por edhe dihet që favorit mund të jenë vetëm në letër.