MIQËSORE

REUTERS/Arkiv
Kasami shënon, Zvicra mposhtet
15 November, 2013 @15:06
Mesfushori shqiptar i Fulhamit, Pajtim Kasami, ka shënuar golin e vetëm dhe të avantazhit për Zvicrën sot në miqësoren e posapërfunduar ndërmjet helvetëve dhe Koresë së Jugut.
Mirëpo, goli i Kasamit u bë i pavlefshëm në fund, pasi që Zvicra u mposht në fund kur koreanojugorët barazuan dhe në minutën e 87-të shënuan edhe golin e fitores në miqësoren e sotme të luajtur në Seul të Koresë së Jugut.
Kanë qenë Jeong Ho Hong dhe Chung Yong Lee që kanë shënuar për fitoren e vendasve në miqësoren e sotme.
Sa i përkët shqiptarëve në Zvicër, përveç Kasamit, në formacionin bazë janë paraqitur edhe Blerim Dzemaili e Granit Xhaka. Ndërsa sulmuesi Admir Mehmedi është inkuadruar në pjesën e dytë, saktësisht nga minuta e 71-të, për të zëvendësuar Kasamin.
Zvicra dhe Korea e Jugut janë të kualifikuara në Kampionatin Botëror Brazili 2014, e derisa sot janë datat e lira nga FIFA për ndeshje të përfaqësueseve priten me interesim të madh ndeshjet e Eurozonës për të përcaktuar udhëtuesit e fundit për në Brazil.