SHQIPËRI vs IZRAEL
Kështu ndërrohen biletat e Shkodrës për Elbasan
Teksti: FSHF
8 November, 2016 @18:08
Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë njoftimin e FIFA-s që ndeshja eliminatore për Kupën e Botës “Rusi 2018”, Shqipëri – Izrael, e planifikuar për t’u luajtur më 12 nëntor 2016, nuk do të zhvillohet në Shkodër, por për arsye sigurie do të luhet në Elbasan. Në lidhje me këtë arsye, FSHF njofton të gjithë sportdashësit se:
1. Bileta e paguar për ndeshjen Shqipëri-Izrael është e vlefshme njësoj nga pikëpamja monetare.
2. Ajo duhet konvertuar nga bileta për stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, në biletë për Stadiumin “Elbasan Arena”.
3. Procedura për konvertimin e biletave kryhet në të gjitha pikat e shitjes së FSHF-së, në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan.
4. Personi i pajisur me biletë fizike duhet të paraqitet në një nga pikat e deklaruara më poshtë për të bërë konvertimin në biletën e re fizike.
5. Për biletat elektronike të cilat janë blerë në internet, konvertimi do të bëhet nëpërmjet adresës së email: [email protected]. Nga kjo adresë do t’ju dërgohen biletat e konvertuara.
Federata Shqiptare e Futbollit kërkon mirëkuptimin e të gjithë sportdashësve për këtë proçedurë të re, e cila është imponuar nga kushtet e krijuara. Veprimet për të bërë ndryshimet e mësipërme fillojnë që nesër pas orës 10.00. Ja adresat ku mund të kryhen veprimet:
a.Tiranë: Dyqani i FSHF (dalja e Rrugës së Elbasanit)
b.Tiranë: Biletaria e Stadiumit “Selman Stërmasi”
c.Shkodër: Biletaria e Stadiumit “Loro Boriçi”
d.Elbasan: Biletaria e Stadiumit “Elbasan Arena”
Shënim: Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon se është e gatshme të verë në dispozicion të sportdashësve të gjitha resurset e saj për të plotësuar të gjitha kërkesat tyre.