Shkëndija gjobitet nga Federata maqedone
Teksti: kfshkendija.com
8 November, 2016 @15:02
Ndodhitë në ndeshjen e xhiros së XI të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit e luajtur më 23 tetor 2016 në Stadiumin e Qytetit në Tetovë kanë sjellë masa ndëshkuese për klubin nga ana e Komisionit Disciplinor të Federatës së futbollit të Maqedonisë.
Sipas asaj që thuhet në njoftimin e arritur në klub, masat ndëshkuese merren për shkak të sjelljes së pahijshme të tifozëve dhe këndimi i korreve me përmbajtje ofenduese në baza nacionale dhe fetare, shfaqja e transparenteve me përmbajtje ofenduese në baza nacionale, shfrytëzimi i mjeteve piroteknike dhe rekuizitave të ndryshme për tifozë, hedhja e gjësendeve të forta në teren me çka është goditur portieri i ekipit mysafir, si dhe provokimi i tre ndërprerjeve të përkohëshme të ndeshjes.
Për këto arsye Komision Disciplinor ka vendosur që të shqiptojë gjobë në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove dhe zhvillimin e një ndeshje të kampionatit apo Kupës pa praninë e tifozëve.