ZEKIRIJA RAMADANI
Këta janë treshja e rrezikshme e Ferencvarosit
6 July, 2021 @13:05
Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, gjatë konferenës për shtyp dje në prag të përballjes debutuese të bardhekaltërve në Champions League ndaj Ferencvarosit ndër të tjera ka bërë të ditur edhe më të rrezikshmit e kundërshtarit.
Trajneri shkupjan gjithashtu ka theksuar se ekipi i tij mëton të shënojë gol dhe duke ditur forcën e mbrojtjes së Prishtinës, beson që t’i shkaktojë telashe të mëdha kundërshtarit, edhe pse ata janë favorit absolut para ndeshjes.
“E kemi analizuar Ferencvarosin dhe e dimë çfarë kundërshtari kemi përpara. Mirëpo, ne nuk kemi ardhur këtu me flamur të bardhë. Kam besim te lojtarët dhe besoj në rezultat pozitiv, duke shpresuar që trajneri i ri i skuadrës hungareze të mos jetë adaptuar ende në ekip,” ka thënë ndër të tjera Ramadani.
“Vëmendje kryesore duhet t’i kushtohet portierit kundërshtar dhe lojtarëve si Myrto Uzuni e Tokmac - këta janë lojtarë që do të mund të bëjnë dallimin në ndeshje,” ka theksuar shkupjani.
“Gjithsesi me ndonjë barazim do të isha shumë i kënaqur, por ndonjëherë edhe kjo është vështirë e arritshme po nuk shënove gol. Thjesht, qëllimi ynë nesër është të shënojmë një gol. Dhe, duke i besuar shumë mbrojtjes sime, dhe po ia dolëm të shënojmë gol, atëherë jam i sigurt që kundërshtarit do të ia vështirësojmë shumë punët”, ka thënë Ramadani.
Ndeshja Ferencvaros - Prishtina luhet sot në Budapest duke nisur në ora 18:00. Referët e ndeshjes janë nga Skocia, me David Munro, kryesor.