LUIS ENRIQUE
Nuk do të ketë dominim
6 July, 2021 @12:52
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, që u kritikua për përzgjedhjen e tij finale të lojtarëve drejt EURO2020 tashmë ka arritur gjysmëfinalen e garës.
Përkundër një starti jo bindës, spanjollët kanë treguar se duke insistuar mund të arrijnë te rezultati dhe më e rëndësishmja, nuk u përulën ndaj Kroacisë që arriti t’ua barazojë rezultatin prej 3-1 në 3-3 për të çuar ndeshjen në vazhdime.
Sidoqoftë, sa i përket përballjes ndaj Italisë, Enrique ka thënë se Spanja edhe pse njihet për dominim në posedim topi, kësaj radhe nuk i dihet.
RRUGËTIMI DREJT FINALES
“Nuk mendoj se të dy do të dominojmë. Do të jetë interesant të shihet kush e fiton këtë duel. Përkundër mungesave, Italia ka treguar se është ekip i vërtetë. Ata mbrohen dhe sulmojnë bashkë. Përdorin presing të lartë, që më parë ka qenë e pa imagjinueshme për Italinë. Tash ata janë të fortë në disa mënyra të lojës, që do të thotë se ndeshja me të vërtetë do të jetë interesante. Të dyja skuadrat do të kenë momentet e tyre në këtë ndeshje,” ka thënë Enrique në konferencë për shtyp para ndeshjes.
Spanja, e rifreskuar në skuadër dhe për herë të parë në histori pa asnjë lojtar të Real Madridit është duke kërkuar finalen e parë të garës pas trofeut të fituar nga ata në EURO 2012. Kujtojmë, Spanja është fituesja më e shpeshtë në histori të EUROs (3) ndërsa është i vetmi shtet që ka arritur ta fitojë atë dy herë radhazi (2008 dhe 2012).