VENDIMI I KG
KG i jep fitoren KEK-ut në tavolinë, “elektricistët” në çerekfinale
9 February, 2022 @19:12
Pas ankesës së KEK-ut për parregullësi nga ane e Onixit në kuadër të ndeshjes së 1/8 së finales së Kupës së Kosovës, FFK e ka aprouar këtë ankesë dhe me këtë, KEK-u ka dalë në çerekfinale të Kupës së Kosovës si fitues i ndeshjes.
Ndeshjen në fushë e kishte fituar Onixi, që pas barazimit 3-3 në kohë të rregullt, e mori duelin pas penalltive 5-4.
Ankesa e KEK-ut kishte të bëj me futbollistin Enis Gegolli, që u aktivizua në lojë, kurse nuk ka qenë fare pjesë e protokollit zyrtar të ndeshjes.
“Gjatë administrimit të provave KG konstatoi se ankesa është e parashtruar në afatin ligjor, e lejuar, e taksuar dhe i përmbushë të gjitha kushtet për shqyrtim dhe shtjellim nga KG.
Pas verifikimit të protokoleve zyrtare të ndeshjeve, KG ka vërtetuar se lojtari i lartëcekur është aktivizuar në min. 114, e i cili nuk ishte i shënuar në protokollin zyrtar para fillimit të ndeshjes. Bazuar në nenin 77 paragrafi 2 pika 8 e Rregullores së Garave KG konstaton se KF ”Onix” ka luajtur me lojtarin i cili nuk ishte shënuar në protokolin zyrtar para fillimit të ndeshjes. KG duke u bazuar në këtë nen e aprvovon ankesën e KF ”KEK-u” si e bazuar dhe ndeshjen Onix – KEK-u e regjistron me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF ”KEK-u””, ka shkruar njoftimi i FFK-së sot.
Gjithashtu, FFK ka bërë të diturs se ka refuzuar ankesën e Onixit. Onix u ankua se trajneri i KEK-ut Faruk Statovci ka marrë karton të kuq në ndeshjen miqësore më 23 janar dhe nuk ka të drejtë të jetë në bankë të ekipit.
Mirëpo, KG nuk e ka miratuar ankesën, pasi që kjo miqësore nuk i ka plotësuar protokollet siç kërkohet nga FFK. Me këtë, KG refuzon ankesën e Onixit. E këta të fundit falë ankesës së KEK-ut, eliminohen nga Kupa!
“FC Onix ka ushtruar ankesë me datë 07.02.2022 me pretendimet se në ndeshjen e zhvilluar më 05.02.2022 FC Onix – KF KEK-u të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës është aktivizuar në pankinë kryetrajneri i KF KEK-ut, Faruk Statovci pa të drejtë sepse në ndeshjen miqësore me datë 23.01.2022 ndërmjet FC Onix – KF KEK-u në Novosellë të Pejës është ndëshkuar me karton të kuq në min e 39-të. Komisioni i Garave pas administrimit të të gjtha shkresave në lëndë dhe pretendimeve ankimore të FC ONIX konstatoi se ankesa është e pabazuar sepse nuk i përmbush kushtet e përcaktuara të nenit 45 paragrafi 1 dhe 2 të Rregullores së garave. Komisioni i Garave përmes zyrtarit kompetent të FFK-së i ka njoftuar me datë 20.01.2022 të gjitha lidhjet rajonale të futbollit se: Në ndeshjet miqësore duhen të plotësohen 3 protokolle, e ku pasi të nënshkruhen nga përfaqësuesit zyrtar të klubeve dhe referit kryesor, një protokol e merr vendasi, një mysafiri dhe një referi kryesor, i cili e dorëzon në Lidhjen rajonale të futbollit. Pasi që nuk janë përmbushur kriteret nga neni 45 i Rregullores së garave, ankesa e FC ONIX refuzohet si e pabazuar nga Komisioni i Garave”, ka shkruar KG i FFK-së në arsyetimin e lëshuar.
Kështu, KEK-u përkundër humbjes në fushë, do të jetë pjesë e shortit për çerekfinale të Kupës së Kosovës, derisa Onixi që fitoi ndeshjen në fushë, e humbi në tavolinë për shkak të një parregullsie administrative.