BIE KAMPIONJA
Kili çon kampionen në shtëpi
18 June, 2014 @22:19
Spanja, që deri sonte mbronte titullin e Botës - është eliminuar nga Kampionati Botëror - turpshëm. Djelmoshat e Vicente Del Bosques janë mposhtur nga Kili me golat e pranuar në pjesë të parë të ndeshjes.
Fati i njejtë, si ky i Spanjës, kishte përcjellur edhe kampionin e kaluar Botëror, Italinë, e cila kishte fituar titullin e Botës në Gjermania 2006 dhe nuk kishte arritur të dalë nga grupet në Afrika Jugore 2010 (në grup me Zelandën e Re, Sllovakinë dhe Paraguajin!).
Kili është treguar ekip serioz dhe me lojë të mençur kanë arritur te goli i parë, me anë të Eduardo Vargas, derisa në fund të pjesës së parë, Charles Aranguiz ka vulosur fundosjen e Furia Rojas në këtë Botëror.
Me këtë fitore, Kili i udhëhequr nga argjentinasi Jorge Sampaoli, ka sigururar daljen nga grupi, derisa me lojtarë si Arturo Vidal, Maurizio Isla, Alexis Sanchez e Eduardo Vargas - mund t’i shkaktojnë probleme edhe cilitdo ekip që do të del nga Grupi A.
Sa për karakteristikë, tifozët e Kilit në stadiumin Maracana sonte mbanin pankartën - Të Kuqtë e vërtetë jemi ne.
Përndryshe, kjo ka qenë fitorja e parë e Kilit ndaj Spanjës në të gjitha takimet e deritashme të tyre zyrtare.