PARA DUELIT TË KUPËS
Korenica kërkon fitore ndaj ish ekipit
7 December, 2018 @15:42
Futbollisti i Prishtinës dhe i reprezentacionit U21 të Kosovës, Meriton Korenica, ka thënë se pret fitore në përballjen e nesërme të Kupës së Kosovës.
Prishtina është mysafire e Lirisë në Prizren, ekip ky ku Korenica ka luajtur para se të kalojë në radhët e bardhekaltërve nga kryeqyteti.
“Pres ndeshje shumë interesante e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Prishtina lufton në dy frontet dhe për të mbet në garë duhet të japim maksimumin që të kualifikohemi edhe të jemi edhe më pranë trofeut. Po ashtu, përveç kualifikimit në çerekfinale duam që këtë stinor të suksesshëm të mbyllim me fitore, pra edhe me një sukses tjetër e që neve do të na jepte plot kuptim bashkëngjitur rezultateve në kampionat”, ka thënë Meriton Korenica për faqen zyrtare të Prishtinës.
Prishtina në 1/32 e finales ka mposhtur Drenicën në Skenderaj 0:0, 5:4 me penallti. Ndërsa Liria në fushën me bari sintetik të Pejës ka mposhtur anëtarin e kategorisë së tretë, Lugun e Baranit 11:0.
Përballja mes Lirisë dhe Prishtinës i takon të tetës së finales së Kupës së Kosovës dhe luhet nesër, e shtunë 8 dhjetor 2018 me fillim prej orës 12:30 në Përparim Thaqi.
Luhet vetëm një ndeshje dhe fituesi i saj siguron çerekfinalen e Kupës së Kosovës.
Prej pranimit të Kosovës në UEFA, Kupa e Kosovës ka fituar rëndësi të madhe për të gjitha ekipet, pasi që fituesi i saj siguron garat ndërkombëtare në UEFA Europa League.
Prishtina në dy herat e kaluara ka qenë pjesëmarrëse në këtë garë, ndërsa Liria ende nuk ka pasur fatin të luajë në gara të UEFA-së.