FERIZAJI - PRISHTINA
Korenica-Thaqi vendosin, Prishtina si hije e liderit
8 April, 2019 @17:56
Sulmuesi i Prishtinës Meriton Korenica është dalluar sot me lojën e mirë të tij, derisa ekipi i Mirel Josës ka arritur të shënojë fitoren e pestë me radhë në Superligë.
Kjo është forma më e mirë që ka kapur Prishtina që prej nismës së këtij viti dhe po vjen në momentin më të duhur për skuadrën, derisa viktimë e kryeqytetasve sot ishin ferizajasit, që pësuan nga një gol për pjesë për të humbur 0-2 këtë duel.
Gauthier Mankenda asistoi në golin e parë të Prishtinës, të shënuar nga Korenica (27’), derisa përkundër rasteve të shumta, goli i dytë nuk vinte.
Sidoqoftë, një gjuajte e lirë dhe një mjeshtëri e Armend Thaqit ka vendosur ndeshjen. Thaqi shënoi 11 minuta para fundit të ndeshjes për të rehatuar Josën dhe ekipin me 0-2 dhe njëkohësisht ia siguroi bardhekaltërve fitoren e radhës në elitë.
Me këtë fitore Prishtina vazhdon t’i qëndrojë si hije Feronikelit duke e ndjekur çdo hap të liderit me fitore, kurse Ferizaji në anën tjetër do të ketë punë të vështirë dhe mbetet i rrezikuar për rënie nga Superliga.