Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

Kosova ka shpirt në fushë

BOROZANI/Arkiv/D.S.

Kosova ka shpirt në fushë


13 June, 2013 @12:17

Prizrenasi Vedat Muriqi filloi si në ëndrra me përfaqësuesen e Kosovës. Shënoi golin e parë në histori të saj - në një ndeshje zyrtare të pranuar nga FIFA dhe ishte njëri ndër më të mirët në fushë. 

Përkundër se huqi penalltinë vendimtare, pas së cilës Kosova dështoi të shkonte në finale të Valais Youth Cup, ku po marrin pjesë përfaqësueset më të mira aktualisht në botë - Brazili, Egjipti dhe Gana, Vedati e ka të qartë se në futboll ndodhin këto gjëra. Tashmë ata të koncentruar presin ndeshjen për vendin e tretë...

-Si e sheh ndeshjen ndaj Ganës, sot?! 

Muriqi: Ndeshja ka qenë e një niveli shumë më të lartë sesa që e kemi parashikuar. Mirëpo, përkundër të gjithave ne u mbajtëm deri në fund. Mendoj se me më shumë stërvitje mund të arrijmë në nivel të tyre. 

-Shkruajte historinë me golin e parë të shënuar në përfaqësuese në një ndeshje zyrtare të regjistruar në FIFA për Kosovën?! 

Muriqi: Jam tepër i lumtur. Aq i emocionuar kam qenë në ato momente, pas golit, saqë nuk dëgjoja asgjë në stadium përkundër shikuesve të shumtë që paskan brohoritur përreth. E papërshkrueshme. Por, prapëseprapë suksesi si komëbtare është më me rëndësi se ai individual. I falemnderit Zotit për këto. 

Ndeshja ndaj Ganës…

Muriqi: Ishte një ritëm krejt tjetër i lojës, por ne treguam se Kosova mund të arrijë gjithçka, pasi që unë bashkë me shokët e mij jemi gati të japim shpirtin për kombëtare. 

-Çka mungoi në fund për të arritur fitoren?! 

Muriqi: Mungoi penalltia ime, thjeshtë. Isha tepër i sigurtë se do të shënoja, por nuk e di se çka ndodhi në atë moment dhe topi shkoi jashtë porte. Këto janë gjëra që ndodhin në futboll, por ky rast është më prekës, pasi që ndodhi për kombëtaren tonë.

-Tash Kosova zhvillon ndeshjen për vendin e tretë ndaj Egjiptit, pasi që ata u mposhtën nga Brazili?! 

Muriqi: E kemi shikuar të gjithë ndeshjen e Egjiptit ndaj Brazilit. Shpresoj që me pak fat dhe angazhim maksimal të arrijmë fitoren. 

Vedat Muriqi 19 vjeçar ka qenë futbollist i Lirisë disa vite me radhë, derisa këtë stinor ai kaloi në Kategorinë Superiore për të qenë pjesë e Teutës së Durrësit. 

Ai është sulmuesi kryesor i kombëtares U-20 të Kosovës dhe dallohet me shtatëlartësinë e tij si dhe të majtën e furishme.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga