KOSOVA-MALIiZI

Kosovaret mposhtin malazezet
26 November, 2017 @15:34
Futbollistet e përfaqësueses së femrave të Kosovës kanë arritur që të shënojnë fitore në miqësoren e zhvilluar sot ndaj Malit të Zi, duke i mposhtur kundërshtaret me rezultat 3-2 në fund.
Vashat e Kombëtares A të Kosovës kanë ngadhënjyer në ndeshjen miqësore kundër Malit të Zi me rezultat 3:2. Para disa qindra shikuesve futbollistet e Kombëtares, treguan lojë më të mirë se malazezet prej fillimit të ndeshjes, ndonëse nga një gjysmë rasti erdhën të parat në epërsi përmes golit Kuç në minutën e 27-të.
Gëzimi i mysafireve zgjati shkurt sepse kjo epërsi nuk i dekurajojë fare vajzat tona, të cilat morën veten dhe tre minuta më vonë, në minutën e 30-të barazuan pas një goli jashtëzakonisht të bukur të njërës nga futbollistet më të mira Valentin Limani, që vjen nga Frankfurti shtatë herë kampion i Gjermanisë.
Edhe në vazhdim të ndeshjes futbollistet e Kombëtares tonë nuk u ndalën po vazhdimisht sulmonin për të ardhur deri te epërsia, ndërkaq që nuk mungonin as kundërsulmet e mysafireve. Në minutën e 41-të, Kaltrina Biçkaj e rrëmbeu një top nga ana e majtë para zonës së rreptësisë malaziase edhe më mirë e shërbeu Mirela Jakupin e cila nga afërsia e dërgoi topin në rrjetë për epërsinë 2:1 me të cilin rezultat edhe përfundoi pjesa e parë.
Pjesa e dytë sërish nisi me sulme të pareshtura të vajzave tona, po duket se vetëm disavantazhi po i mobilizon kështu në minutën e 71-të Mali i Zi shënon dhe barazon përmes Bulatoviçit (2:2), ndërsa vetëm 3 minuta më vonë në atë 74-të pas një tollovie para portës se mysafireve Kaltrina Biçkaj shënon dhe vulos rezultatin e ndeshjes 3:2.
Deri në fund të ndeshjes pati disa përpjekje nga të dyja anët, mikpritëset për ta shtuar epërsinë, ndërsa mysafireve për ta barazuar por shifrat mbeten të njëjta dhe u mbyll ndeshja me urime dhe shtrëngim duarsh mes rivaleve.