PLAY-OFF BRAZILI 2014

REUTERS
Krenaria apo poshtërimi kombëtar?
19 November, 2013 @14:23
Përzgjedhësi i Francës ka kërkuar nga lojtarët e tij që të tregojnë fytyrën e vërtetë dhe cilësitë e vërteta të tyre në ndeshjen e sontme ndaj Ukrainës, në kuadër të barazhit për KB Brazil 2014.
Franca ishte mposhtur nga Ukraina katër ditë më parë në ndeshjen e zhvilluar në Kiev 2-0, derisa as me lojë nuk premtoi asgjë më shumë.
“Ne duhet të japim gjithçka nga vetja, të tregojmë performancë të jashtëzakonshme ashtu që të shkojmë përpara. Në ndeshjen e parë ata luajnë me tërë potencialin e tyre, derisa ne treguam një lojë mesatare,” ka thënë Deschamps.
Me Laurent Koscielnyn të skuqur nga kartonët, Raphaël Varanen e lënduar dhe të dyshimtë për paraqitje, llogaria e vetme për qendrën e mbrojtjes së Francës është Mamadou Sakho dhe Éric Abidal. Ndërsa, Deschamps nuk ka përjashtuar as mundësinë e inkuadrimit në qendër të Bacary Sagnas.
Vetëm një lojtar e ka të sigurtë vendin në formacionin bazë të Francës dhe ai është Franck Ribéry. Olivier Giroud dhe Karim Benzema presin të jenë në sulm, bashkë me Ribéryn.
Në anën tjetër, Ukraina që është shumë afër kualifikimit do të futet në ndeshje pa Olexandr Kucher dhe Artem Fedetskiy, markuesin e Ribérysë.
“Atmosfera është perfekte dhe të gjithë po ndihen mirë para ndeshjes. Djelmoshat ëndërrojnë që të luajnë në Kampionat Botëror,” ka thënë ndihmës trajneri i këtij vendi, Olexandr Zavarov.
Fitorja prej 2-0 e së premtes, i ka mundësuar rekord portierit të Ukrainës, Andriy Pyatov, pasi që ka arritur 730 minuta të mbrojë portën pa pësuar gol. Derisa në sulm, goli i 14-të i Andriy Yarmolenkos e ka dërguar atë në vendin e tretë të golashënuesve më të mirë në histori të ish Republikës sovjetike. Vetëm Andriy Shevhenko me 48 dhe Serhiy Rebrov me 15 gola të shënuara janë para tij.
“Ne duhet të jemi në mbrojtje të fortë. E nëse shënojmë do të jetë edhe më mirë, pa marrë parasysh kush shënon,” ka thënë Yarmolenko para ndeshjes së sotme.
Franca është eliminuar e poshtëruar nga KB Afrika e Jugut 2010, ndërsa moskualifikimin e mundshëm në KB Brazili 2014 futbollisti më i mirë i tyre Franck Ribéry e ka përshkruar si katastrofë kombëtare.
SONTE:
21:00, Stade de France, Paris | Franca-Ukraina | (0-2) Rezultati i ndeshjes së parë |