NIKO KOVAC

REUTERS
Kroacia me frymë gjermane
20 November, 2013 @9:08
Niko Kovac, përzgjedhësi i ri kroat i cili morri detyrën e udhëheqjes së kombëtares vetëm pasi që Kroacia pa kundërshtarin në Play-Off të Eurozonës, përfundoi misionin me sukses.
Në fitoren e mbrëmshme të ardhur me golat e Mario Mandzukic dhe Darijo Srna, Kroacia mposhti Islandën 2-0 dhe siguroi biletën për Kampionat Botëror.
“U kam thënë edhe pas ndeshjes së parë me Islandën. Nuk është lehtë të luhet ndaj kundërshtarit që ka një lojtar më pak në fushë. Shikoni tash, ata kishin probleme pasi që ne ishim me dhjetë veta në fushë. E mbrapshtë apo?!” ka thënë Kovac pas ndeshjes, transmetojnë mediat kroate sot.
Kroacia pjesën më të madhe të ndeshjes e luajti me 10 veta në fushë pasi që Mario Mandzukic u përjashtua nga referi me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër në minutën e 38-të të pjesës së parë.
Kovac 42 vjeçar besohet që do të mund të sjellë në kombëtaren kroate frymën e punës gjermane, pasi që ky është i lindur në Berlin dhe është dalluar për kah disciplina e madhe si lojtar.
Ish trajneri i Kroacisë, Igor Stimac, kur ia nisi fazës së kualifikimeve për Botëror, pas fitores ndaj Serbisë kishte thënë se Kroacia do të merr përfundimisht vendin e dytë në grup dhe me këtë ekip do të luaj në finale të Kampionatit Botëror.
“Ajo është e drejtë e tij, por unë jam Niko, unë shkoj ndryshe. Nuk i bëj dy hapa menjëherë, por një nga një. Do të punojmë që djelmoshat të jenë të përgatitur për Brazil më së miri që munden,” është treguar i kujdesshëm Kovac.
Kroacia mposhti Islandën pas dy ndeshjeve të Play Offit me rezultat të përgjithshëm 2-0. Ndeshja e parë në Islandë kishte përfunduar 0-0, derisa mbrëmë në Zagreb u qartësua udhëtuesi për Brazil.
Niko Kovac që erdhi shpejtë dhe pa plan në krye të përfaqësueses kroate ka marrë premtim nga kreu i Federatës kroate, Davor Suker, se nëse arrin të kualifikojë Kroacinë në Botëror do të shpërblehet me kontratë të plotë, pasi që kjo aktualja është e përkohshme për atë.