LLUPA NË GRUPE
Kush, sa pikë merr në Grupin A?
Shkruan: Luan MORINA
6 June, 2016 @9:51
A-ja e Shqipërisë
Shumë zhurmë është bërë për ekipin e përzgjedhur nga De Biasi. Ka qenë zhurmë për asgjë pasi italiani po merr me vete 23 lojtarët më të mirë të mundshëm. Sigurisht që mund të ketë mospajtime për emra, mirëpo akuzat në baza lokale janë absurde.
Mavraj ka luajtur një kohë të mirë gjatë pranverës pas lëndimit dhe mendoj që është rikuperuar mjaftueshëm për kampionat. Krahët nuk janë të dobët, derisa kam pak dyshime në aftësitë e Canës për tu përballur me sulmet kundërshtare për shkak të moshës. Ndoshta jo-angazhimi i vazhdueshëm në Nantes mund të ndihmoj në këtë aspekt. Mesfusha është mirë e formësuar, e sulmi edhe më mirë. Nuk do të vërehet mungesa e Salihit dhe Rashicës me Balajn, Cikalleshin e Gashin.
Kalimi i grupit nuk është mision i pamundur nëse marrim pikë ndaj Zvicrës në ndeshjen e parë. Pikë na nevojiten edhe ndaj Rumanisë, por vetëm një s’mjafton. Me katër pikë sigurojmë rrethin e dytë. Franca është ndër favoritet për të fituar, prandaj çfarëdo rezultati ndaj tyre s’do të ishte dështim. Mos të harrojmë që i kemi mposhtur në fazën e kualifikimeve.
Franca
E vetmja anë e lëndueshme e Francës është mbrojtja. Krahët janë nën nivelin e një ekipi kampion, qendërmbrojtësit nuk janë stabil. Por, me mesfushën që ka Kanten, Pogban, Matuidin, e tjerët zor që do të ketë punë të shumtë për mbrojtjen. Me dy defanzivë si Kante e Sissoko dhe një ‘tru’ në Pogban, apo Cabayen, Franca mund të pajis me topa krahët në Griezmann, Martial, Coman e Payet. Këta katër mund të jenë armët kryesore të ekipit. Giroud e Gignac nuk janë Benzema, por gjithçka që nevojitet nga këta dy është ndonjë prekje e vetme e topit kah porta, me kokë a me këmbë; dhe loja eventuale me shpinë.
Janë në mesin e favoritëve, plus epërsia e terrenit vendas gjithmonë ka kryer punë për ta. Gjithçka do të varet me funksionimin e dyshes së qendërmbrojtësve, cila do të funksionoj më mirë. Finalja do të ishte minimumi për këtë kombëtare.
Rumania
Kjo Rumani nuk është ajo e arta. Nuk është as hija e asaj që kemi përmendur gjatë serisë së shkrimeve për befasitë e Evropianeve. E vetmja mënyrë për të kaluar grupin do të ishte një paraqitje nën aftësitë reale të lojtarëve të Shqipërisë. Ne mund ti dërgojmë më tutje, pasi ata as vet s’do të mund të kalonin.
Nuk kanë lider, pos nëse do të llogarisja Chirichesin, edhe pse Stancu është shumë më i mirë. Në fakt është i vetmi për të cilin më vjen mirë që e shoh në një garë të madhe kombëtaresh. Me një ekip të përbërë nga lojtarët që luajnë në kampionatin kombëtar, ose më së shumti në Ballkan, Turqi, Rumania nuk besoj që ka diçka të veçantë. Shqipëria do të përcaktoj fatin e tyre.
Zvicra
Kombëtarja A e Kosovës s’do ta ketë të vështirë të përsërit suksesin e Botërorit të Brazilit. Kanë fatin që kanë dy ekipe më inferiore në grup, gjë që e bën kalimin në fazën tjetër punë të kryer. Me këtë përbërje që kanë sjell s’do ta kenë të lehtë kundër Francës.
Behrami dhe Dzemaili nuk kanë pasur një sezon të mirë dhe forma e tyre po bie. Xhaka e Fernandes nuk mjafton në mesfushë për të ndihmuar Shaqirin e Mehmedin në krahë. Seferovic? Derdiyok? Do të shkoja me Embolon apo Tarashajn më parë. Vendim i mirë i Petkovicit është lënia jashtë e Senderosit. Megjithatë aty është akoma Djourou. Krahët e mbrojtjes nuk janë për tu nënvlerësuar me ndoshta majtakun më të mirë në Evropë në Rodriguez. Së paku në portë janë mirë të rehatuar me Sommerin e Burkin.
Renditja e grupit A: Franca 7 pikë, Zvicra 5 pikë, Shqipëria 4 pikë, Rumania 0 pikë