LAÇI-PARTIZANI
Laçi me 2 gola i uron mirëseardhje Iulianos në Shqipëri
10 September, 2017 @21:18
Para fillimit të stinorit nisën me shumë bujë dhe me disa përforcime me emër, pastaj edhe trajner Mark Iulianon, Partizani ka dalë kokulur nga dueli i parë.
Si vendas në “Selman Stërmasi” të kuqtë e Tiranës janë mposhtur nga Laçi, që pas pjesës së parë të qetë, shënoi dy herë në pjesë të dytë për të arkëtuar tre pikët e para të stinorit dhe për t’i uruar një mirëseardhje ‘italianit’ në Superiore.
Ka qenë 19 vjeçari Sherif Kallaku që shënoi për epërsinë e laçjanëve në minutën e 59-të të takimit (posa hyri në lojë), ndërsa goditjen përfundimtare partizanëve ia dha braziliani Maicon Esquerda, që edhe vulosi fatin e takimit.
Laçi nisi mbarë stinorin me këtë fitore, duke dalë në krye menjëherë, bashkë me Skënderbeun dhe Vllazninë, derisa për Partizanin duket se do të ketë punë shumë këtë stinor.
Xhiron që vjen, Laçi pret Luftëtarin, ndërsa Partizani përsëri në cilësi të vendasit, do të ketë punë ndaj kampionit aktual, Kukësit.
FORMACIONET:
Partizani: | Xhika, Fejzullahi, Ibrahimi, Atanda (Xhixhiua 85’), Kotobelli, La Kamera, Vila (Herrera 56′), Trashi, Adorjan, Progni, Sukaj. Trajner: Mark Juliano | ||
Laçi: | Selmani, Ademir, Fangaj, Gjoni, Sefgjini, Jonuzi, Bardhi (Kallaku 58′), Lushkja (Bushi 51′), Nika, Uzuni, Eskerda. Trajner: Stavri Nica |