KOMUNIKATA
Leci mohon raportet suedeze para KD-së
3 February, 2015 @15:07
Federata e Futbollit të Kosovës, ka reaguar menjëherë pas lajmeve në media se Liridon Leci është i përfshirë në kurdisje ndeshjesh, duke thirrur Komisionin Disciplinor (KD), për të vërtetuar deklaratat e pretenduara nga futbollisti i Hajvalisë, Leci.
Kështu FFK-ja ka dalë me një deklaratë për media se pasi që kanë marrë në pyetje Lecin, sigurojnë se do të ndjekin të gjitha proceset në lidhje me këto akuza.
“Në këtë shqyrtim futbollisti Liridon Leci para KD deklaroi me përgjegjësi se në asnjë mënyrë e moment nuk ka përmendur figurën e kryetarit të FSHF-së, Armand Duka, e as zyrtarëve tjerë në lidhje me pretendimet në media. Leci gjithashtu deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me asnjë individ ose grup të përfshirë në kurdisje të ndeshjeve në asnjë shtet, e aq më pak në Suedi e Shqipëri. Në vijim, Leci sqaroi se në media ka shprehur një mendim të përgjithshëm për kurdisje të ndeshjeve duke u bazuar në informatat e ndryshme që kanë qarkulluar në media, por mohon se vetë është i përfshirë në ‘to,” ka shkruar FFK-ja në komunikatën e datës së sotme.
Faqja kryesore suedeze për futboll, Fotbollskanalen.se ka njoftuar dje për Lecin, që u shndërrua në temë kurdisjesh në Suedi, ku ka luajtur para se të vinte në Kosovë.