NATIONS LEAGUE
Liga e Kombeve: Grupet, shorti, sistemi i garave…
G. P.
8 November, 2017 @15:59
Çka është Liga e Kombeve, si funksionon dhe çka dëshiron UEFA të arrijë me krijimin e kësaj lige? Ku gjenden Kosova e Shqipëria në këtë ligë? Gjithçka që duhet të dini në lidhje me këtë ligë është këtu.
Qëllimi i UEFA-së
Qëllimi i UEFA-së me krijimin e kësaj lige është që 55 anëtarët e saj ta rrisin kualitetin e tyre duke qenë se janë të kategorizuara në liga më të vogla, të cilat përbëhen nga përfaqësuese të nivelit të njëjtë sipas koeficientëve në renditjen e UEFA-së, gjë që nënkupton zëvendësim të miqësoreve ‘jointeresante’ me ndeshje të Ligës së Kombeve. Kështu, përfaqësueset në ligat përkatëse do të tentojnë mbijetesën në ligën ku momentalisht janë apo ngjitjen në ligën që ndodhet më lartë. Kur një përfaqësuese arrin të ngjitet në Ligën A, atëherë do të tentojë kalimin në ‘Final Four’ dhe shpalljen kampione e Ligës së Kombeve. Gjithashtu, kur një përfaqësuese nuk tregon sukses dhe ndodhet në vendin e fundit në ligën përkatëse, zbret një ligë më poshtë.
Formati i Ligës së Kombeve
- 55 përfaqësueset anëtare të UEFA-së do të ndahen në 4 liga më të vogla varësisht prej koeficientit të renditjes së fundit (renditja e 11 tetorit 2017). Kjo gjë do të ndodhë vetëm për edicionin e parë të Ligës së Kombeve, pasi që në edicionin e dytë të saj përfaqësueset do të shpërndahen në liga varësisht nga pozita në të cilën e kanë mbyllur edicionin paraprak të kësaj lige.
- Liga A përmban përfaqësueset më të forta evropiane, derisa Liga D përbëhet nga përfaqësueset që ndodhen në fund të renditjes së UEFA-së. (Siç u shpjegua në pikën e mësipërme, kjo vlen vetëm për edicionin e parë të Ligës së Kombeve)
- Ligat A dhe B do të kenë 4 grupe me nga 3 përfaqësuese.
- Liga C do të ketë 1 grup me 3 përfaqësuese dhe 3 grupe tjera me nga 4 përfaqësuese.
- Liga D do të ketë 4 grupe me nga 4 përfaqësuese.
- Shorti për Ligën e Kombeve do të mbahet më 24 janar 2018 në Lausanne të Zvicrës.
- 4 vendet e para të 4 grupeve të Ligës A kalojnë në ‘Final Four’, ku do të luftojnë për titullin e kampionit të Ligës së Kombeve.
- 4 skuadrat me rezultatet më të dobëta nga Liga A do të ‘zbresin’ në Ligën B e kështu me radhë nga Liga B në Ligën C dhe nga Liga C në Ligën D.
- E njëjta vlen edhe për ngjitje. 4 skuadrat më të mira nga Liga D do të ngjiten në Ligën C, ato të Ligës C në Ligën B dhe nga Liga B në Ligën A.
Kur do të mbahet Liga e Kombeve?
Ndeshjet e grupeve të ‘UEFA Nations League’ do të mbahen në 6 xhiro të ndryshme nga shtatori 2018 deri në nëntor 2018 (përfaqësueset do të luajnë mes vete në sistemin brenda dhe jashtë fushës), ndërsa ndeshjet e ‘Final Four-it’ në mes të 4 skuadrave kryesuese të 4 grupeve të Ligës A do të luhen në qershorin e vitit 2019. Këto 4 skuadra do të ndeshen në formatin e eliminimit direkt (gjysmëfinale, finale dhe ndeshja për vendin e tretë), për t’u shpallur kështu fituesi i Ligës së Kombeve. Nikoqiri i ‘Final Four-it’ do të zgjedhet në dhjetorin e vitit 2018.
A do të ndryshojë sistemi kualifikues për në UEFA EURO2020?
Pasi që Kampionati Evropian i vitit 2020 do të mbahet në 13 shtete të ndryshme të Evropës, nuk do të ketë përfaqësuese që kualifikohet direkt në këtë kampionat. Përveç 20 skuadrave që kualifikohen nga eliminatoret e zakonshme drejt Evropianit përkatës (pra 2 vendet e para nga secili prej 10 grupeve), 4 skuadrat e mbetura do të kualifikohen në Evropian përmes Ligës së Kombeve.
16 skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve (16 kryesuesit e secilit prej grupeve) do të luajnë mes vete në fazën Knock Out, prej të cilave 4 do të kualifikohen në EURO2020 dhe në këtë mënyrë do të kompletohet numri prej 24 skuadrave për këtë evropian. Nëse kryesuesi i grupit përkatës në Ligën e Kombeve veçse e ka siguruar kualifikimin përmes kualifikimeve të zakonshme, në Play Off shkon skuadra e dytë më e mirë nga ai grup. Pra mundësi për fazën Play Off kanë edhe vendet e mëposhtme të cilitdo grup, varësisht se a e ka siguruar vendi i parë i grupit kualifikimin përmes eliminatoreve.
Grupet e zakonshme kualifikuese do të luhen gjatë periudhës mars 2019 - nëntor 2019, derisa faza Play Off e përbërë nga 16 skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve do të mbahet në muajin mars të vitit 2020.
Cilat janë përparësitë për përfaqësueset?
Përveç zëvendësimit të miqësoreve që kohëve të fundit po cilësohen jointeresante, ky sistem i mundëson secilit prej shteteve kualifikim paksa më të lehtë në Kampionatin Evropian, kur dihet që nëse një përfaqësuese e kryeson cilindo grup të cilësdo ligë, do ta ketë mundësinë të jetë në fazën Play Off, ku luftohet për një nga 4 vendet e mbetura të Kampionatit Evropian.
Gjithashtu, kjo iu mundëson skuadrave përballje me shtete të nivelit pothuajse të njëjtë dhe me një sukses të mundshëm, mundësohet ngjitja në një nivel më të lartë, pra nga një ligë në tjetrën dhe jo gjithçka varet nga koeficientët në renditjen e përgjithshme të UEFA-së.
A do të ketë miqësore mes shteteve edhe në të ardhmen?
Padyshim që po. Miqësoret nuk do të anulohen plotësisht, por me krijimin e Ligës së Kombeve, numri i tyre automatikisht do të minimizohet dhe futbolldashësit do të kenë mundësi të shohin më shumë ndeshje zyrtare sesa miqësore.
Shqipëria në edicionin e parë të Ligës së Kombeve ndodhet në Ligën C, derisa Kosova ndodhet në Ligën D. Më poshtë janë paraqitur përfaqësueset në 4 ligat përkatëse. Siç u shpjegua më lartë, shpërndarja është bërë sipas renditjes së UEFA-së më 11 tetor 2017.
Liga A: Gjermania, Portugalia, Belgjika, Spanja, Franca, Anglia, Zvicra, Italia, Polonia, Islanda, Kroacia, Holanda.
Liga B: Austria, Uellsi, Rusia, Sllovakia, Suedia, Ukraina, Republika e Irlandës, Bosnja dhe Hercegovina, Irlanda Veriore, Danimarka, Çekia, Turqia.
Liga C: Hungaria, Rumania, Skocia, Sllovenia, Greqia, Serbia, SHQIPËRIA, Norvegjia, Mali i Zi, Izraeli, Bullgaria, Finlanda, Qipro, Estonia, Lituania.
Liga D: Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia, Gjeorgjia, Armenia, Letonia, Ishujt Faroe, Luksemburgu, Kazakistani, Moldavia, Lihtenshtajni, Malta, Andorra, KOSOVA, San Marino, Gjibraltari.
Sipas vendimeve të UEFA-së, Rusia e Ukraina nuk lejohet të vendosen në një grup për shkak të problemeve politike, ndërsa për shkak të terreneve të papërshtatshme për lojë në dimër, një grup nuk mund të ketë më tepër se dy skuadra nga kjo listë e përfaqësueseve: Finlanda, Estonia, Lituania, Norvegjia.
Gjithashtu, për arsye politike as Armenia e Azerbajxhani nuk lejohet që të jenë në të njëjtin grup, ndërsa për shkak të problemeve me udhëtim, një grup mund ta ketë brenda tij maksimalisht vetëm njërën nga këto dyshe: Andorra & Kazakistani, Ishujt Faroe & Kazakistani, Gjibraltari & Kazakistani, Gjibraltari & Azerbajxhani.
Shtetet do të shpërndahen në grupe në shortin që mbahet më 24 janar 2018 në Lausanne të Zvicrës.