OPINION
Prishe stadiumin!
Shkruan: Luan MORINA
8 November, 2017 @14:23
Stadiumi ‘George Washington’, në vendlindjen e babait të SHBA-ve, në Bridges Creek të Virgjinias është një nga stadiumet më të bukura dhe më të përsosura që mund të haset në botën e sotme. Është një kryevepër arkitekturore me 90 mijë ulëse kapacitet, një parking mbi 20 mijë vetura dhe gjithçka në ndërtesën e stadiumit, që nga restorantet e motelet, deri tek muzetë e heliodromi.
Një tentim kopjimi të këtij projekti është në fazat fillestare në Woodstock. Stadiumi do të funksionoj për kombëtaren angleze në krikët – sportin e preferuar të Winston Churchillit, emrit e të cilit edhe do ta mbajë. Në fakt, edhe kampionati botëror i kriketit do të mbahet në këtë stadium, edicionin e radhës në vitin 2021.
Mendoj që mjaftojnë këto dy fakte për të arsyetuar vendimin e qeverisë për ndërrimin e lokacionit të stadiumit kombëtar të Kosovës.
Do të mjaftonin se pikësëpari nuk janë fakte, por janë rrena të kulluara për të nisur këtë artikull. Në vendlindjen e Washington ka vetëm një muze historik, derisa në rrethin e Richmondit, vendlindjes së Washingtonit nuk ka asnjë ekip profesionist me stadiumin më të madh në 22 mijë ulëse.
Ndërkohë në Woodstock të Oxfordshire, ekipi më i mirë sportiv garon në divizionet më poshtë se kategoria e pestë e futbollit anglez. As në SHBA, as në Britani të Madhe, stadium sportiv nuk mbajnë emrin as të Washingtonit e as të Churchillit. Ka universitete, por jo stadiume të ekipeve profesioniste. Aq më pak stadiume kombëtare.
Ideja e stadiumit kombëtar është ide e Lindjes komuniste. Mund të arsyetohemi me Wembley e Saint Dennis, mirëpo Anglia dhe Franca janë shumë nivele para nesh si në sport ashtu edhe në infrastrukturë.
Është bërë shumë zhurmë në lidhje me lokacionin e stadiumit. Zhurmë e panevojshme, edhe zhurmë për interesa të ngushta politike. Përzierja e politikës me sportin, gjithashtu është një trashëgimi nga Evropa Lindore dhe periudha e diktaturës komuniste. Mund të jenë ‘pastruar’ sa për sy e faqe, por politika do të jetë më e përfshirë në sport tashti se kurrë më parë. Me ndërkombëtarizimin e sportit vijnë edhe përfitimet financiare për klubet e sportistët dhe ‘ujemin’ nga kjo do ta marrin edhe politikanët! Kjo është e garantuar!
Ngjashëm do të ndodh me tenderët e stadiumeve, me kryesitë e ekipeve, lidhjet e marrëveshjeve të sponsorizimit, e gjithçka tjetër. Prapë, është adet lindor!
E nëse ndërtohet?
Stadiumi kombëtar u ndërtua!
Kudo! Por, çfarë do të ndodhë pas?! Kosova do të zhvilloj maksimumin prej 5 ndeshjeve në vit në atë stadium. Edhe grupmoshat e reja po të zhvillonin, do të bëheshin dhjetë ndeshje. Mirëmbajtja e një stadiumi do të marrë buxhet shtesë. Shpenzimet veçse do të shumohen!
Do të kemi një kombëtare të ngulur në një lokacion që ndoshta s’do të jetë larg nga viset tjera, por megjithatë do të jetë statik. Do të përvetësohet ndoshta në një mënyrë.
Shqipëria ka zhvilluar ndeshjet në Tiranë, në Shkodër, në Elbasan. Turqia zhvillon ndeshjet anekënd vendit, gati rrallë në Ankara e Stamboll. Maqedonia zhvillon edhe në Strumicë e vendet tjera, përkundër një stadiumi që organizon finalen e Superkupës së Evropës.
Nuk nevojitet super-stadium për të përmbushur kushtet e UEFA-s. Malta, Gjibraltari, Andorra, e San Marino kanë stadiume të përshtatshme. Nuk nevojiten as 60 milionë euro.
Nevojiten për të mbushur egot dhe interesat e politikanëve!
Alternativa
Le të investohen paratë tek e fundit në stadiumin e Feronikelit e Drenicës, pasi lokacioni qenka më i përshtatshëm! Do të kemi dy stadiume për kombëtaren, e më pas do të mund të investonim edhe në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Prizren, Gjilan e Gjakovë. Jo të gjitha duhet të përmbushin kriteret e UEFA-s. Por, së paku do të përmbushnin kriteret e tualeteve ku urina s’do të refuzonte të shkonte! Nuk e keni idenë çfarë kushte higjienike ka në shumicën e stadiumeve të Superligës dhe Ligës së Parë!
Kjo do të ndihmonte edhe në zhvillimin e gjeneratave të reja në futboll, duke mos na detyruar të shkonim e vjelim futbollistët e krijuar nga Zvicra, Gjermania e vendet skandinave.
Nuk na nevojitet stadium kombëtar.
Na nevojitet zhvillimi i infrastrukturës për të krijuar gjenerata të reja. Mjaft janë pastruar nëpër rrëke e përrua gjatë të 90tave. E emrat e disave nga këta meritojnë të bartin stadiumet e sallat sportive. Heronjtë e luftës e kanë vendin në librat e monumentet historike.
E heronj edhe më të mëdhenj kanë pasur edhe SHBA-të, edhe Gjermania, Franca, e Britania e Madhe. Asnjë stadium në Britani nuk mban emër të ndonjë heroi, mbreti, apo politikani. Ata e kanë vendin e ruajtur në histori. Nuk ju nevojitet sporti.
Sporti le të reflekton sportin!