PRIZREN

BOROZANI/D.S.
Liria një pikë larg kreut
12 April, 2015 @16:23
Festë në Prizren. Ekipi bardhezi i Lirisë ka arritur që të shënojë fitore ndaj Lepencit të Kaçanikut me rezultat të bindshëm 3-0, derisa barazimi i Gjilanit sot dhe barazimi i Llapit dje, ka bërë që skaudra e Skënder Shengylit të afrohet në vetëm një pikë kreut të tabelës që aktualisht është në duar të gjilanasve.
Qëndrim Gashi hapi serinë e golave në Përparim Thaçi sot, derisa para fundit të pjesës së parë shënoi edhe mesfushori me përvojë i ekipit, Rafet Mullallari për 2-0.
Në pjesë të dytë shënuesi më i mirë i prizrenasve, Liridon Fetahaj, me golin e tij shënoi për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes, 3-0.
Në xhiron e radhës luhet derbi i kreut, kur Liria udhëton në Gjilan për tu ndeshur me liderin e Ligës së Parë.