MERSEYSIDE DERBY

REUTERS
Derbi përfundon baraz
23 November, 2013 @15:59
Stadiumi Goodison Park ka dhënë spektaklin më të mirë deri më tani në Premier League. Derbi i madh i qytetit të Liverpoolit, ndërmjet të kaltërve të Evertonit dhe të kuqve të Liverpoolit ka përfunduar 3-3 në një ndeshje ku kishte gjithça në suazat e derbit.
Ndoshta barazimi i fituar sot dhe pikët e ndara nuk do t’i konvenojnë asnjërës skuadër, por më shumë kundërshtarëve, mirëpo paraqitja e akterëve në fushë ka qenë për çdo lavdatë.
Liverpooli dy herë ishte në epërsi 0-1 dhe 1-2, derisa Everton barazoi dy herë për të kaluar edhe në epërsi 3-2, të cilën nuk arriti ta mbajë deri në fund kur Daniel Sturridge barazoi për rezultatin përfundimtar 3-3.
Interesant është fakti se golashënuesi i Evertonit, Romelu Lukaku dhe ai i Liverpoolit, Daniel Sturridge - të dy janë lëshuar nga Chelsea si të panevojshëm në sulm, derisa ata po shkëlqejnë në ekipet e Liverpoolit.
Për më tepër gjyqtari Philip Dowd është përkujdesur që edhe kartonat e verdhë të ndahen në mënyrë të barabartë - gjithashtu 3 me 3.