LLAPI-LIRIA

Llapi fut Lirinë në telashe barazhi
29 April, 2017 @16:45
Pas pjesës së parë të kaluar pa gola, Llapi me fillim të pjesës së dytë ka shënuar gol për të marrë epërsinë dhe në fund edhe një, për të shënuar fitore ndaj Lirisë, që nuk arriti të shënojë deri në fund të ndeshjes, përkundër se kishin epërsi të një lojtari më shumë në fushë.
Humbja për Lirinë do të thotë kokëdhimbje, pasi që tashmë janë të rrezikuar seriozisht për barazhin e Superligës, për rënie, ndërsa tentimet e lojtarëve të Lirisë, kryesisht përmes Fillim Guraziut, ishin të pasuksesshme në pjesë të dytë.
Mirlind Daku i shkëlqyeshëm i dha epërsinë Llapit në fillim të pjesës së dytë, ndërsa krejt në fund, kur Liria në epërsi numerike tentonte barazimin, pësoi në anën tjetër nga Kushtrim Shabani, që vulosi fituesin e ndeshjes.
Egzon Sinani i Llapit u përjashtua pas dy të verdhave në 20 minutat e fundit të ndeshjes, por kjo nuk ndikoi negativisht në ekipin e drejtuar nga Tahir Batatina.
Llapi vazhdon formën e mirë në kampionat, ku me këtë fitore tashmë kalon në kuotën e 56 pikëve, ndërsa ka shënuar fitoren e 17 të stinorit.
Liria në anën tjetër, regjistroi disfatën e 15 nga 28 ndeshje të zhvilluara deri sot, që rrezikon shumë ekipin nga Prizreni.
Xhiron që vjen, Liria pret Dritën në duel direkt barazhi, ndërsa Llapi udhëton në duel me Prishtinën.