BYLBYL SOKOLI
Lufta për barazh
8 April, 2019 @19:41
Trajneri i Ferizajit, Bylbyl Sokoli, që erdhi për të organizuar klubin në pjesë të dytë të stinorit dhe është në rrugë të mirë për ta nxjerrë ekipin nga kriza ka thënë se dueli i sotëm ndaj Prishtinës është vendosur në anë të majtë të fushës.
“E kemi ditur që do të jetë vështirë, megjithatë goli i parë i pësuar ishte gabim në mbrojtjen tonë. U munduam që të rezistonim gjatë tërë kohës duke i përforcuar pjesët tona aty ku Prishtina është më e rrezikshme, sidomos nga ana e djathtë ku Prishtina depërton dhe ka pjesën dërmuese të shënimeve. Por, gabuam në anën e majtë faktikisht, sepse kundërshtari është shumë më cilësor. Ne do të mundohemi të nxjerrim maksimumin nga ky ekip dhe krejt lufta jonë është të mbesim në barazh,” ka thënë Sokoli pas ndeshjes.
Ferizaji ka një pikë më shumë se Liria aktualisht dhe është në zonën që nuk rrëzon direkt nga Superliga, por përmes barazhit, që është një fije shprese në ditët e vështira për ekipet e pjesës së poshtme të Superligës.
Ferizaji ka mbledhur 10 pikë në pranverë me Sokolin në krye të ekipit, derisa Liria vetëm 5.