MIREL JOSA
U rrezikuam një herë
8 April, 2019 @18:30
Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, në deklaratën e tij pas fitores ndaj Ferizajit sot ka thënë se ka qenë e natyrshme fitorja e ekipit të tij, pasi që në pjesën më të madhe të kohës ka poseduar topin.
“Ndeshje e vështirë shikuar para ndeshjes. Por, duke e parë si po shkon ndeshja, ne u rrezikuam vetëm një herë përgjatë 90 minutave. E kjo ishte normale, sepse gjatë gjithë kohës kishim topin në zotërim, edhe pse do të duhej të ishim pak më efikas në sulm,” ka qenë komenti për ndeshjen, i trajnerit në fjalë.
Prishtina ka shënuar fitoren e pestë me radhë në Superligë dhe ka kapur formën më të mirë që prej nismës së pjesës pranverore të stinorit.
Bardhekaltërit janë duke ndjekur në hap liderin e Superligës Feronikelin dhe janë duke pritur gabimin e tyre për të kërcyer në vend të parë të klasifikimit.