TURNEU ZHVILLIMOR U16
Luksemburgu U16 mposht Kosovën U16
Teksti: FFK
8 April, 2018 @22:05
Kosova U16 sot ka zhvilluar edhe ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të turneut zhvillimor që u mbajt në Irlandën Veriore nën përkujdesjen e UEFA-s për grupmoshat U-16.
Pas humbjes nga Irlanda Veriore (1:4) dhe më pas fitores kundër Ishujve Faroe (4:0), djelmoshat e përzgjedhësit Besnik Kollari në ndeshjen e sotme pësuan humbje kundër Luksemburgut 1:3, në një fushë jo aq të përshtatshme për lojë.
Ndeshja nisi keq për kosovarët, pasi qysh në minutën e dytë Luksemburgu kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Yann Hoffman, nga penalltia. Sidoqoftë, ky gol i hershëm nuk ndikoi aspak negativisht në lojën e djelmoshave, të cilët shumë shpejtë u këndellën dhe krijuan raste të njëpasnjëshme, por që fati nuk ishte në anën e tyre, ku madje dy herë qëlluan shtyllën.
Megjithatë, në minutën e 29-të Kosova e barazoi rezultatin kur shënoi Oltion Bilalli. Në pjesën e dytë djelmoshat tanë nga dëshira për të kaluar sa më shpejtë në epërsi pësuan gol në minutën e 54-të, kur realizoi Alessio Curci. Ndërkohë, në periudhën kur Kosova po bënte presion të vazhdueshëm drejt portës kundërshtare, në minutën e 69-të, erdhi edhe goli i tretë për Luksemburgun, të cilin e shënoi Noah Mabika, që në këtë mënyrë edhe e vendosi rezultatin përfundimtar 1:3.
Gjithsesi, ky turne ishte i mirëseardhur dhe i ka shërbyer përzgjedhësit Besnik Kollari për t’i testuar futbollistët dhe për të krijuar një ekip sa më cilësor për sfidat që e presin në të ardhmen Kosovën U17.