BELGJIKË
Me Courtois në portë, Belgjika s’humb
30 June, 2014 @1:57
Thibaut Courtois, portieri i Belgjikës, që kaloi një stinor të mrekullueshëm me ekipin e tij Atletico Madrid dhe stinorin që vjen pritet të rikthehet te Chelsea, pronë e të cilit është - ka dhënë deklarata impresionuese para ndeshjes së kombëtares së tij me SHBA-të në të tetën e finales së Botërorit.
Courtois nuk ka pësuar asnjëherë humbje derisa ka qenë në portë të Belgjikës! Ai do të veshë fanellën e përfaqësueses për të 21-tën herë ndaj SHBA-ve në të tetën e finales, derisa në 20 ndeshjet e kaluara sa ka qenë ai në portë, Belgjika nuk ka pësuar!
Portieri i ri 22 vjeç ka thënë se nuk e ka ndërmend ta ndryshojë rrugën e këtij fati që po e përcjellë.
“Ekipi deri më tani nuk i ka dhënë shumë rast kundërshtarëve për të shutuar kah porta. E po të shutojnë kundërshtarët, përgjegjës jam unë. Ne jemi ekip që luajmë lojë sulmuese. Por kamë përvojë prej Atletico Madridit sa i përket ekipeve që shutojnë shumë. Pjesa ime më e mirë në lojë është se jam i koncentruar 100% gjatë gjithë ndeshjes,” ka thënë gardiani i portës belge, njofton NTV.
Belgjika, vend për të cilin luan edhe kosovari Adnan Januzaj ka kaluar Grupin H të Botërorit pa humbje dhe me pikë maksimale të tubuara. Courtois ka pësuar vetëm një gol dhe është portieri i vetëm në këtë Botëror që nuk ka pësuar gol nga loja - ai golin e vetëm e ka pësuar nga penalltia në ndeshje me Algjerinë - që është edhe goli i vetëm i pranuar i Belgjikës deri më tani në Botëror.