SADAT PAJAZITI
Me fitore në barazh
21 May, 2016 @13:40
Për Dritën derbi i madh lokal ndaj Gjilanit do të jetë me rëndësi të dyfishtë. Kjo për shkak se ekipi bardhekaltër do të shpresojë në fitore për të mbetur në barazh dhe më pas të kërkojë ekzistencën.
I vetëdijshëm për këtë është edhe trajneri i ekipit Sadat Pajaziti, që ka thënë për Kohën Ditore sot se ekipi i tij do të futet i përqëndruar në ndeshje për të nxjerrë rezultatin pozitiv.
“Shpresoj që kjo ndeshje ashtu edhe ajo në Skenderaj (ku luhet Drenica-Istogu, gjithashtu vendimtare për mbijetesë e barazh v.j.) të kalojnë më së miri,” ka thënë fillimisht Pajaziti.
“Do të futemi në ndeshje të përqëndruar maksimalisht ashtu që të nxjerrim rezultat pozitiv dhe të mbesim në zonën e barazhit,” ka shtuar ai.
Dritës i duhet fitorja me çdo kusht në këtë ndeshje për të shpresuar ende në mbijetesë në Superligë, pasi që do të kërkoj shpëtimin e stinorit përmes ndeshjes së barazhit.
Drita mund të mbijetojë në zonën e barazhit edhe nëse barazon e humb nga Gjilani nesër, mirëpo atëherë duhet të shpresojë që Drenica ta mposht Istogun.
Përballja Drita-Gjilani gëzon interesim të madh si në qytetin e Gjilanit ashtu edhe në tërë vendin për shkak të rivalitet të madh të tifozërive të skuadrave lokale.
Ndeshja zhvillohet nesër duke filluar nga ora 15.