MANCHESTER UNITED

Më se e merituar, Ole 2022
28 March, 2019 @10:31
Përmes një komunikate për media sot, Manchester United ka bërë të ditur se Ole Gunnar Solskjaer do të jetë kryetrajner i ekipit për tre vitet e ardhshme.
Norvegjezi 46 vjeç që arriti në klub në dhjetor 2018 për të shpëtuar situatën e krijuar nga koha e Jose Mourinhos ka pasur rezultate të jashtëzakonshme për klubin, ndërsa kulmin e arriti me fitore ndaj Paris St Germainit në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Këto rezultate, por edhe loja e ndërruar e Unitedit bindën drejtuesit e klubit që e bënë norvegjezin nga trajner i përkohshëm në kryetrajner me kontratë dhe atë deri më 2022.
Nën drejtimin e Oles, Manchester United ka pësuar vetëm një herë në 13 ndeshje të Premier Ligës. Ekipi ka arritur për herë të parë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas 5 vitesh, kurse Solskjaer ka thyer rekordin e legjendës Sir Matt Busby duke shënuar fitore në gjashtë ndeshjet e para si trajner i ekipit.