ROSSONERI

Milan, viktimë e Parmës
27 October, 2013 @18:08
Kriza e Milanit vazhdon. Në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Milan ka shënuar vetëm një fitore dhe humbja e sotme ndaj Parmës e ka vërtetuar edhe njëherë se mungesat që i ka në ekip, janë të mëdha për rossonerët.
Milan sot është mposhtur nga Parma në sekondat e fundit të ndeshjes, kur Marco Parolo ka shënuar një gol nga gjuajtja e lirë në minutat shtesë të takimit.
Milan ka qenë në disavantazh prej dy golave kur ia nisi pjesës së dytë të takimit, pasi që Parma kishte kaluar në epërsi me anë të golave të Marco Parolos dhe Antonio Cassanos.
E në pjesën e dytë si më kërkues ata arritën të barazojnë shumë shpejtë, kur brenda dy minutave, 61’ dhe 63’, ata arritën të barazojnë me anë të golave të Alessandro Matrit dhe mbrojtësit Matias Silvestre.
Mirëpo, kjo ishte e tëra nga rossonerët për këtë ndeshje sa i përket golave, derisa Parma ka shfrytëzuar mrekullisht rastin e fundit në takim, kur Marco Parolo, që ka qenë njeriu i ndeshjes së sotme, ka shënuar nga gjuajtja e lirë në minutën e katërt shtesë të takimit për fitoren e madhe të ‘qumështorëve’ prej 3-2.
Me këtë fitore Parma ka kaluar Milanin në tabelë, duke dalë në vendin e shtatë, derisa rossonerët me humbjen e katërt të stinorit në nëntë ndeshje gjindet në pozitën e nëntë të tabelës.