ARG - BIH
MirëmëngjESSI!
16 June, 2014 @1:42
Njëra prej përfaqësueseve favorite të Kampionatit Botëror, Argjentina, ka shënuar fitore në ndeshjen e parë grupore duke e mposhtur Bosnjën e Hercegovinën me rezultat 2-1.
Dyert e fitores së argjentinasve i hapi mbrojtësi boshnjak, Sead Kolasinac, i cili pas një krosimi nga ekipi kundërshtar, reagoi dobët duke e dërguar topin në portën e gabuar.
Njëkohësisht ky ishte edhe rekord në Kampionatet Botërore, pasi që autogoli i Kolasinacit ishte autogoli më i shpejtë i shënuar ndonjëherë nëpër Botërore, pasi që u shënua vetëm pas 144 sekondave lojë.
Në minutën 65’ rezultati u dyfishua. Katër herë futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, i cili deri më tani nuk ka arritur të ketë paraqitje mbresëlënëse nëpër Botërore, u zgjua nga gjumi duke e realizuar për 2-0.
Ky ishte goli i dytë i Messin nëpër Botërore pas atij golit që e kishte shënuar kundër Serbisë dhe Malit të Zi.
Rezultati përfundimtar u përcaktua me golin e Vedad Ibisevicit, i cili e mposhti portierin Romero në minutën 84’ të ndeshjes.
Ndeshja tjetër e grupit luhet ndërmjet Iranit dhe Nigerisë.