DEBUTIMI

BBC
Morali dhe nonshalanca
18 June, 2013 @0:24
Skuadra e ishullit të Paqësorit Jugor, Tahiti, ka shënuar golin historik në debutimin e një gare të madhe ndërkombëtare, që përfundoi me humbje respektuese nga kampioni i Afrikës, Nigeria.
“Jam i prekur thellësisht. Deri dje kemi shikuar ndeshjet e mëdha të futbollit në televizion, ndërsa ne sot jemi akterë të tyre. Presidenti ynë ishte duke e shikuar ndeshjen dhe i ka anuluar mbledhjet e kabinetit për të na shikuar,” ka thënë i emocionuar pas ndeshjes trajneri i kampionit të Oqeanisë, Eddy Etaeta.
Në anën tjetër afrikanët kanë humbur raste të paimagjinueshme për shkak të lojës vetjake dhe nënçmimit të kundërshtarit - përkundër fitores 6-1.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Stephen Keshi, Nigeria, përkundër kundërshtarit amator - nuk tregoi shumë gjëra në fushë, pasi që golat më shumë vinin si gabime të Tahitit sesa krijesa të nigerianëve.
Sidoqoftë, ndeshja përfundoi me fitore të të dyja palëve! Njëra me rezultat, tjetra moralisht. Ndërsa publiku në stadiumin Magalhaes Pinto të Belo Horizontes me 20 mijë tifozë në te, pa rezerva përkrahte ekipin amator nga ishulli i Paqësorit Jugor.
Kjo ka qenë ndeshja e parë e ishullorëve, zyrtare, e zhvilluar ndonjëherë me një përfaqësuese jashtë Konfederatës së Oqeanisë. Ndeshjen e radhës Tahiti e luan kundër kampionit aktual të botës, Spanjës.
KUPA E KONFEDERATAVE, GRUPI B:
1 | Nigeria | 3 pikë | ||
2 | Spanja | 3 pikë | ||
3 | Uruguaji | 0 pikë | ||
4 | Tahiti | 0 pikë |