BLEDI SHKËMBI
“Moseksperienca kushtoi”
24 October, 2017 @15:47
Trajneri i Lirisë së Prizrenit, Bledi Shkëmbi, në deklaratën e tij pas ndeshjes ndaj Vëllaznimit sot ka thënë që moseksperienca e lojtarëve të tij që të mbajnë rezultatin, për pak sa i kushtoi skuadrës.
“Moseksperienca jonë bëri që të mos fitojmë ndeshjen. Pjesa e parë kaloi shumë mirë, ndërsa në pushim pikërisht u thashë që 2-0 është rezultat i rrezikshëm dhe kjo ndodhi,” ka thënë Shkëmbi fillimisht.
“Ne ishim afër të humbim edhe ndeshjen, megjithatë pikët që i kemi tubuar tregojnë që jemi ende në lojë dhe edhe njëherë dua të them se golat nuk janë faj i lojtarëve, por i moseksperiencës,” ka shtuar korçari.
“Ajo që mund të them për më tutje është që do të vazhdojmë me këta lojtarë deri në fund të pjesës vjeshtore dhe presim të përforcohemi për pjesën tjetër të stinorit,” ka thënë në fund Shkëmbi.
Liria sot edhepse ishte në epërsi 2-0, rrezikoi që të mbeste pa pikë në Përparim Thaqi, pas lojës së mirë të Vëllaznimit në pjesë të dytë.
Në fund, ekipet ndanë pikët, 2-2. Ndërsa Liria nuk arriti të shfrytëzojë rastin që të kap kreun e tabelës dhe të barazohet me pikë me Prishtinën lidere.
E xhiron e radhës, Liria i shkon në mysafirllëk kampionit aktual të Kosovës, Trepça’89.