AFRIM TOVËRLANI
Motivimi ishte problem, por dëshmuam se jemi kampionë
11 May, 2016 @19:41
Pas fitores me rezultat 2-1 ndaj Llapit, trajneri i Ferronikelit, Afrim Tovërlani, pranoi se e kishte paksa të vështirë t’i motivojë lojtarët për këtë ndeshje, pasi skuadra e tij tashmë e ka siguruar titullin e kampionit.
“Edhe pse para lojës kërkuam që të jemi serioz në lojë, megjithatë edhe futbollistët janë njerëz dhe tashmë me sigurimin në mënyrë matematikore të titullit, nuk është bash lehtë të motivohen.
Megjithatë pas pjesës së parë, me korigjimet që u munduam t’i bëjmë dhe me angazhimin që mos t’i dëshpërojmë tifozët, por edhe ata që na shikonin nëpërmjet televizionit, dëshmuam se jemi kampionë.
Mendoj që, mos themi 50, por me 70% të fuqisë, e mposhtëm Llapin, edhe pse humbëm disa raste jashtëzakonisht të mira. Llapit i dëshiroj sukses në të ardhmen,” tha Tovërlani për kanalin televeziv transmetues të ndeshjes.
Të pangopur për fitore!
Më tej, ai vazhdoi duke folur edhe për ndeshjet e mbetura, të cilat i arsyetoi se duhet të fitohen, edhe pse tashmë nuk kanë asnjë rëndësi për skuadrën nga Drenasi.
“Të gjithë në klub jemi të interesuar që deri në fund të vazhdojmë me fitore, të vazhdojmë me futboll të mirë dhe të imponojmë një karakter tjetër tek futbollistët, sepse tash pas pranimit do të ndryshojnë gjërat. Pra, do të ndryshoj qasja, do të ndryshoj funksionalizimi dhe asnjëherë nuk duhet të kënaqemi.
Personalisht mendoj që, nëse një futbollist ose një trajner kënaqet me fitore, atëherë është mirë që ta ndërprejnë. Përndryshe jemi të pangopur sa i përket fitoreve dhe kupave.
Do të insistoj që edhe dy ndeshjet e radhës t’i zhvillojmë në mënyrën më të mirë dhe më korrekt për futbollin kosovar,” përfundoi numri një i Ferronikelit.
Ferronikeli në dy ndeshjet e radhës do të luajë me Drenicën në shtëpi dhe me Hajvalinë në Kishnicë.