NGA INTERVISTA E PARË
Mou: Do të sjell pasion dhe lumturi
20 November, 2019 @23:06
Jose Mourinho, si trajner i ri i Tottenhamit ka premtuar se do të sjellë pasion dhe lumturi në klub. Portugezi 56 vjeç në intervistën e parë të dhënë për faqen zyrtare të klubit të tij të ri, ku do t’i fitojë 8 milionë funta për stinor [rrogë bazë, pa bonuse], ka thënë se është tejet i lumtur me sfidën e radhës.
”Çka mund të premtoj? Pasion, pasion të vërtetë. Pasion për punën time, pasion për klubin, gjithmonë ka qenë kështu në karrierën time dhe do të mundohem të bëj gjithçka për t’i sjell lumturi atyre që e duan këtë klub,” ka thënë Mourinho.
Karizmatiku merr timonin e Tottenhamit në kohën kur ekipi ka shënuar vetëm një fitore në pesë duelet e fundit dhe është 20 pikë larg liderit të Premier Ligës, Liverpool.
Mourinho gjithashtu ka bërë të ditur se Spurs kanë qendrën stërvitore të pakrahasueshme me ekipet tjera evropiane.
“Nuk ka edhe një të tillë. Kjo nëse krahasohet, mund të krahasohet vetëm me ndonjë qendër stërvitore të ragbit në SHBA. Me futbollin evropian, me klubet tjera, Tottenham ka qendrën stërvitore të një niveli tjetër dhe këtë po ua them unë, që i kam parë më të mirët,” ka shtuar ai.
Si ndihmës, Mourinho ka marrë trajnerët e Lille’it: Joao Sacramento dhe Nuno Santos.
Të shtunën në ora 13:30, Jose Mourinho do të debutojë në bankën e gjelave të Londrës Veriore në derbin lokal ndaj West Ham Unitedit.