NIGERIA
Mundësia e gjeneratës së re
Shkruan: LUAN MORINA
17 June, 2018 @12:53
Nigerianët u mposhtën në ndeshjen e parë, por kush janë pjesë e kësaj gjenerate dhe çka pritet nga ata?
KAMELEONI
Mobiliteti i lojtarëve për të luajtur në pozita të ndryshme, brenda e edhe jashtë një reparti, i jep mundësinë trajnerit gjerman, Gernot Rohr për të manipuluar me formacion. Derisa në kualifikimet për Kupën e Botës ka luajtur me 4-2-3-1, në ndeshjet përgatitore ka përdorur edhe mbrojtjen me tre lojtarë me 3-5-2, formacionin defensiv 4-4-1, ka shtyrë tre veta në sulm me 4-3-3, si dhe kuptohet, formacionin e familjarizuar 4-2-3-1.
KAMPIONË
Pas kualifikimit të parë në Kupën e Botës, në SHBA, ku bashkë me Arabinë Saudite, ishin ndër vendet që befasuan në kalimin e grupeve, gjenerata e artë e futbollit nigerian, e mbushur me talente që ende në moshën olimpike, do të befasonte Argjentinën në finalen e Atlantas në vitin 1996. I njëjti sukses do të vinte edhe në Francë, tani duke kaluar grupin me Paraguain duke lënë jashtë Spanjën. Në vitin 2002 e 2010 s’do të kalonin grupet, gjersa në Gjermani s’do të kualifikoheshin.
Në Brazil, para katër viteve vinin si kampionë afrikan. Në vitin 2013, në finale mposhtnin Burkina Fason, për titullin e tretë pas viteve 1980, dhe titullin e vitit 1994. Atëbotë në Tunizi, në grupin B do të kalonin Gabonin me tre gola, para se të luanin baras me Egjiptin. Si të dytët, do të kalonin grupin me tri ekipe për t’u ndeshur në çerekfinale me Zairen, ku Rashidi Yekini, do të shënonte përsëri dy gola. Në gjysmëfinale binte Bregu i Fildishtë pas penalltive, gjersa Yekini përsëri do të shënonte njërin nga dy golat në pjesën e rregullt. Në finale, rezervisti i Barcelonës për katër vite, i cili në Camp Nou do të vinte dy vite më vonë nga Sportingu i Lisbonës, Emmanuel Amunike do të shënonte dy golat e fitores kundër Zambisë.
Holandezi Clemens Westerhof ishte trajner i Nigerisë në këtë kampionat, para se t’i dërgonte në Kupën e Botës. Njihet si rilindës i futbollit nigerian, dhe udhërrëfyesi i tyre deri në arenën globale. Uche Okechukwu, Uche Okafor, Finidi George, Jay-Jay Okocha, Sunday Oliseh, Viktor Ikpeba, Rashidi Yekini, e Daniel Amokachi do të bëheshin emra të paharruar të historisë nigeriane, dhe shembuj për shumë lojtarë që këtë verë në Rusi mbajnë fanellën e Nigerisë.
EKIPI
Rezervisti i La Corunas, Francis Uzohu, si 19 vjeçar mund të fitoj mundësinë të mbroj para Ezenwas e Akpeyit, të dy veteranë por pa përvojë evropiane. Leon Balogun i transferuar në Premier League tek Brightoni, bashkë me Troost Ekongun e Bursaspor pritet të udhëheq mbrojtjen, me Idowun e një tjetër lojtarë të Bursaspor, Shehi Abdullahin në krahët e mbrojtjes. Në mbrojtje është edhe Kenneth Omerou i Chelsat i cili tri vitet e fundit i ka kaluar si i huazuar në superligën turke.
Ndidi e Onazi duhet të jenë shtyllat e mesfushës, me Obi Mikel, tani në Tianjin më të avancuar. Victor Moses i Chelseat luan si krah i mesfushës, bashkë me Alex Iwobin në krahun tjetër, duke e bërë një sulm të Premier League me Iheanachon në qendër të sulmit. Aty janë edhe Ahmed Musa, e Odion Ighalo për të ndihmuar në shënimin e golave, pa përjashtuar edhe Etebon e Stoke Cityt.
RUSSIA2018
Janë në njërin në grupet më të baraspeshuara. E hapën me Kroacinë. Më pas ndeshen me Islandën, më 22 qershor në ora 17, para se të shkojnë në Shën Petersburg, kundër Argjentinës me datë 26 qershor. Shanset për të kaluar grupin janë të barabarta me Islandën.