DITARI RUS (3)
Ditë e penalltive
16 June, 2018 @23:09
‘VAR-i ka dal prej xheneti’
Tifozët e rregullt të Serie A, e sidomos Bundesligës, tashmë ka kohë që e kanë mësuar këtë fjali. Çdo ndeshje nga një penallti sot, në ditën rekorde në këtë Kupë të Botës, me katër terminë. Që të gjitha drejtë të gjykuara.
DESCHAMPS
Franca nuk ka trajner. Dhe u duk edhe sot që nuk kanë trajner. Një Aaron Mooy i vetëm nuk lejonte pasimet e gjata tek krahët e sulmit francez, duke rikuperuar çdo top që humbnin krahët e Australisë në sulm. Nuk kryente punë as ndërrimi i krahëve të Francës, aq më pak tentimi i pasimeve kah qendra për të çarë mbrojtjen e Australisë. Kur kjo nuk funksiononte, vonë u angazhua Giroud i cili ia doli të bënte sa do qoftë presion mbi Milliganin, e edhe Behichin.
Këta dy, sidomos Milligan ishin ndër pikat më të dobëta të Australisë në mbrojtje. Pa harruar edhe Risdon i cili me prekjen e fundit edhe e bëri penalltinë. Leckie me një mendësi lideri humbiste shumë topa të panevojshëm kundër Francës, por edhe më i dobët ishte sulmuesi, Nabbout i cili për një orë humbi dy raste të shkëlqyeshme për australianët.
Francezët e nxorën fitoren me shumë fat. Por, një lojë e këtillë ndaj Australisë, nuk është aspak përmirësim nga Euro2016, e në ndeshjet jashtë grupit, ose hiç më larg se me Perunë, do të kenë kokëçarje. Australia ishte e pafat, pa kuadro të mjaftueshme për të fituar.
RAGNARI
Mesfushori i Udineses, Emil Hallfredson, bëri një lojë të shkëlqyeshme duke ia dalë të mbaj Messin, i cili nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Në fillim, Islanda me formacionin klasik të 4-4-2 nuk kishte një ndërmjetësues ndërmjet dy reparteve të fundit, duke lejuar kalimin e pasimeve të lehta tek Aguero. Një i tillë rezultoi me gol, i cili nuk vonoi shumë, u gjet edhe nga islandezët. Këta patën edhe raste të tjera të shënonin, por ishin shumë të ngathët para portës. Kjo vuri në pah mbrojtjen të tmerrshme të Argjentinës.
Në pjesën e dytë, për të ndihmuar Messin që mbeste i vetëm para mesfushës islandeze, Biglia vazhdoi depërtimet të cilat rezultonin më të suksesshme në eksploatimin e islandezëve. Për këtë arsye u angazhua Banega, por nuk solli ndryshimin e nevojshëm. Nëse lodhja nuk ka shtrydhur islandezët, pas këtij barazimi duhet të kenë shanse të mira për të kaluar grupin.
YUSSUFI
Islanda fitoi me lojë ekipore, siç bëjnë gjithmonë. Lojë të tillë bënë edhe peruanët, por nuk patën fat të marrin tri pikë. Nisën lojën shpejtë, dhe dilnin në shanse kundër danezëve të cilët preferonin pritjet dhe ndërtimin e ngadaltë të lojës. Disa rrokada në sulmin e Perusë, po të ishin bërë në fillim do të sillnin edhe fitoren me gjasë.
Carrillo si qendërsulmues mbulohej mirë, e Kjaer nuk linte hapësirë pa e ndjekur Farfanin. Edhe Christensen ndihmonte në kapjen e tij, duke lënë hapësirë të pashfrytëzuar në krahë nga Flores e Cueva. Humbja e penalltisë nga ky i fundit sigurisht ndikoi në krejt rrjedhën e lojës, e cila në pjesën e dytë shtyri Hareiden të shtynte para Poulsenin më afër mesit të sulmit. Një aksion i tillë, solli golin, pak edhe për fajin e Traucos i cili nuk bëri grackën e ofsajdit siç duhet. Krejt tjetër lojë shfaqte krahu tjetër i Perus, Advincula që qe njëri prej më të mirëve në fushë.
Dikur i erdhi radha edhe Guerreros, i cili me zhvendosjen e Carrillos në anën e djathtë, kishte një furnizues të mirë topash. Ndonëse më i mirë në përfundimin e aksioneve se pjesa tjetër e ekipit, që kishte këtë si mangësi kryesore, as Guerrero nuk mundi të sillte pikën e parë për Perun. Ndoshta mallkimi 30 vjeçar brazilian ende është në fuqi!
VATRENI
Kroacia ka super, super ekip! Talente, së paku nga dy sosh janë në gjashtëshen ofensive. Rebic është në formë jetësore këtë sezon, Kramaric është kthyer në një qendërsulmues shkatërrues këtë vit, e mos të flasim për pjesën defensive të mesfushës. Ende nuk janë duke funksionuar si një ekip i përkryer, ndonëse shkëndijat e para u panë në pjesën e dytë të lojës. Për më tepër, kjo nuk ishte as afër maksimumit që mund të ofroj kjo kombëtare.
Në anën tjetër, nuk e kuptoj entuziazmin për nigerianët. Nuk kanë asgjë interesante në ekip pos fanellave. Talenti është, por nuk ka kohezion ndërmjet tyre. Për këtë arsye, shpresat për kalim tutje janë edhe më pakta pas sonte.
NESËR
Brazili zbret në fushë kundër Zvicrës tonë, në mbrëmje. Do të jetë interesante të shohim sa me seriozitet kanë marrë ata kampionatin, duke parë që dy favoritë dështuan të fitonin, derisa të tretit iu desh të mundoheshin kundër australianëve. Para Brazilit, në ora 17, Gjermania do të testohet nga Meksika. Ndërkohë ndeshja e parë sjell serbët kundër kostarikanëve, në ora 14.