MEDIA TALK
Muriqi mund të largohet, por vetëm si huazim
2 November, 2021 @15:37
Corriere dello Sport ka bërë të ditur sot se sulmuesi i Kosovës që luan për Lazion, Vedat Muriqi, mund të largohet në afatin kalimtar të radhës të janarit nga ekipi, por vetëm si huazim.
Lazio nuk konsideron shitjen e futbollistit prizrenas, pasi që vlera e tij ka rënë në dhjetë milionë euro, që është për gjysmë më pak se shuma që kishte paguar ekipi romak për ta blerë atë nga Fenerbahçeja në verën e vitit 2020.
Mediat turke në anën tjetër kanë bërë të ditur se Muriqi ka kërkuar që të lirohet nga Lazioja këtë afat, për një opsion të mundshëm të rikthimit të tij në ekipin nga Stambolli prej ku kishte ardhur në Romë.
Futbollisti 27-vjeçar ka kontratë me biancocelestët deri në verë të vitit 2025, ndërsa këtë stinor ka luajtur në nëntë ndeshje me klubin, ku ka regjistruar një asistim. Në stinorin e kaluar ai kishte shënuar një gol të vetëm në Serie A, ndërsa ka qenë në fushë në 27 ndeshje i pranishëm, prej të cilave vetëm shtatë herë startues.