OLIMPICO

Ndërprehet seria e fitoreve të Juves
26 January, 2014 @0:12
Kampioni i Italisë, Juventus, ka kërcyer në 56 pikë nga 21 ndeshje të zhvilluara pasi që sulmuesi spanjoll i tyre, Fernando Llorente, me kokë ka shënuar golin që ka sjellur nivelizimin në rezultat.
Lazio kishte avancuar në minutën e 27-të të ndeshjes, kur Antonio Candreva shënoi penalltinë e cila u akordua nga gjyqtari i ndeshjes, pas një faulimi të portierit Gianluigi Buffon ndaj Miroslav Kloses.
Me këtë rast Buffon u përjashtua me karton të kuq, derisa Lazio nuk arriti që të fitojë ndeshjen përkundër epërsisë numerike në fushë, edhepse goditi dy herë shtyllën në vazhdim pas avantazhit, 1-0.
Në anën tjetër, për Lazion, ku startuan dyshja e kombëtares shqiptare, portieri Etrit Berisha dhe qendërmbrojtësi Lorik Cana, kjo pikë u vazhdon atyre serinë e pamposhtshmërisë nën drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja.
Pika e fituar nga Lazio ndaj Juves ka ndërprerë serinë prej 12 fitoreve me radhë të bianconerëve në Serie A.
Rezultatet dhe tabela aktuale.