IN MEMORIAM
Ndërron jetë, Triumfi i ri
29 June, 2014 @10:36
Në orët e vona të natës së shkuar ka ndërruar jetë njëri ndër futbollistët më premtues të Ferronikelit, Triumf Shabani, ka bërë të ditur faqja zyrtare e këtij klubi në Facebook.
Shabani, ka qenë duke luajtur futboll të vogël me shokë në njërën nga stadiumet e shumta të vogla private, kur ka rënë pa ndjenja në tokë, kanë bërë të ditur miqtë e tij, duke ndërruar jetë.
Shabani ka qenë pjesë e përfaqësueseve të reja të Kosovës dhe lojtar tepër premtues. Ai ka bërë pjesë edhe te Kosova U19 por edhe te U20-shat e reprezentacionit.
Shabani 20 vjeç këtë stinor ka fituar Kupën e Kosovës në futboll me ekipin e tij, derisa në finale mposhtën Hajvalinë, sikurse arritën edhe mbijetesën në Superligë në ndeshje të barazhit.
“Jam i shokuar vërtetë me këtë lajm të keq. Një ditë e zezë për familjen Shabani dhe gjithë futbollin e sportin kosovar,” ka shkruar përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, në llogarinë e tij të Facebookut, me të dëgjuar lajmin për të riun.