PARIS ST GERMAIN - MANCHESTER UNITED
Në minutat shtesë, United shtang Parisin
6 March, 2019 @23:17
Manchester United ka arritur thuajse të pamundurën. Atë që pak kush e kishte pritur pas disfatës 0-2 në Old Trafford nga Paris St Germain, nën besimin e Ole Gunnar Solskjaerit, djajt e kuq e kanë arritur sonte duke fituar 1-3 në Parc des Princes.
“Do të na duhet të kalojmë një mal,” kishte thënë Solskjaer, pas disfatës nga Parisi në ndeshjen e parë, duke bërë të ditur se beson, por duhet një mund i madh dhe se nuk është i pamundur kualifikimi.
E kjo, sonte u arrit. Parisi u shua në minutat shtesë të takimit, kur pranë rezultatit 1-2 në të mirë të Unitedit, një penallti e dhënë me ndihmën e VAR-it, u konkretizua nga i riu Marcus Rashford, që shënoi karshi Gigi Buffonit për 1-3.
Manchester United është çerekfinalist i Ligës së Kampionëve, ndërsa Paris St Germain pabesueshëm mbeti jashtë garës.
Përndryshe, Manchester United bëhet ekipi i parë që arrin të kthejë humbjen prej 0-2 në terren të vetë, për tu kualifikuar në xhiron e radhës.