PARA NDESHJES: TREPÇA'89-PRISHTINA
Nesër, derbi i kreut
6 March, 2017 @13:39
Në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) është përcaktuar orari i ndeshjeve të xhiros së XX të Superligës së Kosovës.
Superderbi Trepça’89 dhe Prishtina është para nesh dhe lideri pret ndjekësin e parë në ndeshjen që do të zhvillohet në “Riza Lushta” të Mitrovicës.
Trepça’89 ka 6 pikë më shumë sesa Prishtina aktualisht. Duelin e parë mes skuadrave të zhvilluar në “Agron Rama” të Obiliqit e pat fituar ekipi mitrovicas 2-0, me anë të golave të shënuesit më të mirë aktual të kampionatit, nigerianit Oto John John.
Për më tepër, ajo ka qenë humbja e parë e Prishtinës këtë stinor.
Nga kjo kohë deri sot, në afatin dimëror, Trepça’89 ka ndërruar trajnerin. Ka marrë Zekirija Ramadanin në krye të shtabit teknik si dhe ka përforcuar sulmin me Hasan Hysenin, si lëvizje më e theksuar.
Gjëja tjetër interesante para derbit të xhiros është se do të jetë përballja e ekipit me më së shumti gola të shënuara në Superligë dhe atij që ka pranuar më së paku.
‘89shi ka shënuar 37 gola në 19 xhirot e shkuara, ndërsa Prishtina ka pranuar vetëm 7.