Analizë: 5 PËR FUNDJAVË!
Ngjyrat e Londrës!
Shkruan: Luan MORINA
4 November, 2016 @17:01
1.Bayern – Hoffenheim (e shtunë, ora 3e30)
Bayerni i Ancelottit po ofron atë çfarë është pritur nga ta. Janë të sigurt në të gjitha fronet, dhe luajnë sikur nuk japin krejt potencialin e tyre. Është një sezon i gjatë dhe rotacionet janë të nevojshme, e Ancelotti është i mirë në këtë gjë.
Derisa tek Bayerni kemi trajnerin më të mirë aktiv në botë (pa pikë dyshimi!), tek Hoffenheim kemi njërin nga trajnerët më të veçantë në botë. I paralajmëruar tashmë një vit, Julian Nagelsmann, ka rrotulluar gjërat në Hoffenheim këtë sezon. Ndoshta pak ndihmuar edhe nga forma jo e mirë e ekipeve favorite, Hoffenheim bashkë me Kölnin e ekipe tjera simotra po befasojnë të gjithë. Tashti është rasti më i mirë për të treguar se sa janë të denjë për pozitën ku gjenden.
2.Napoli – Lazio (e shtunë, ora 15n9)
Pas Zamparinit, Lotito është presidenti më i çmendur në futbollin italian. Është zor që ky ekip të këndellet nën udhëheqjen e tij dhe vetëm mrekullitë i mbajnë ata vazhdim në gjysmën e epërme të tabelës së Serie A. Këtë sezon e kanë nisur më mirë se të tjerat dhe duket se mund të konkurrojnë Romën e Napolin për pozitat dy e teposhtë.
Falë mungesës së Milikut, Napoli ka probleme për të konkretizuar rastet, por Sarri duket se ka transformuar lojën tek gjuajtjet nga jashtë zonës. Adaptimi i kësaj strategjie mund t’i ndihmojë napolitanët të mbeten në luftë për kreun. Së paku deri në rikthimin e Milikut.
3.Arsenal – Tottenham (e diel, ora 1)
Çfarë ngjyre ka Londra?
Tottenhami nuk po kalon ditët më të mira. Kanë qenë të fjetur gjatë verës dhe Janssen si shumica e sulmuesve të huaj po has në vështirësi për t’u adaptuar. Edhe Kane nuk ka qenë i mirë vitin e kaluar. Janë ekip mirë i kompletuar dhe kam pritur që do të jenë më në formë. Lëndimet në mbrojtje nuk janë risi, ngjashëm si numri i golave. Për më tepër angazhimi në Ligën e Kampionëve duket se i ka gjetur të papërgatitur. Por, janë të denjë të shkëlqejnë në lojëra të mëdha.
Arsenali është më mirë se që do e prisnim. Me Walcottin dhe Iwobin kanë gjetur siguri në krahë, Özil dhe Sanchez po janë në qejfe të mira, e edhe Giroud nuk është keq. Por, pika kyçe tek Arsenali ka qenë Mustafi i cili është përshtatur për merak me Koscielnyn duke ofruar një siguri që moti kohë nuk ka qenë e pranishme aty.
Derbit lokal të Londrës janë gjithmonë të bukur për sy dhe nëse ka një ngjyrë që dominon këtë qytet, atëherë ajo është ngjyra e futbollit!
4.Porto – Benfica (e diel, ora 7)
Sportingu i Juan Jesusit – trajnerit më pafat të së sotmes, duket se ka hequr dorë nga përsëritja e suksesit të vitit të kaluar. Lufta për titull në Portugali edhe këtë vit do të përcaktohet ndërmjet Portos dhe Benficas me gjasë. Por, për dallim nga vitet e kaluara që të dyja duket se kanë pësuar në rënie momentale të cilësisë. Kanë kthyer sytë për talente nga Evropa të cilat me dalje në ligat më të mëdha kanë dështuar. Prurjet nga Amerika Jugore nuk kanë qenë aq cilësore. Kjo mund të ndikoj tek rënia e cilësisë së skuadrave portugeze në krahasim me ligat të mëdha, por assesi të ndikoj në rivalitetin e zjarrtë të këtyre dyjave.
Pa marrë parasysh cilësinë e lojtarëve që kanë, ky derbi gjithmonë ofron lojë të bukur dhe të tensionuar.
5.Sevilla – Barcelona (e diel, ora 15n9)
Spanja ka shpresë për t’u bërë më shumë se dy ekipe. Shpeshherë Sevilla, Atletico e Valencia kanë arritur të konkurrojnë klasikët. Por, kontinuiteti në ndeshjet tjera ka zhgënjyer.
Këtë vit, falë ndarjes së re të shumës nga të hyrat televizive janë ngjallur disa ekipe tjera më të dobëta. Gjithashtu edhe Sevilla duket se ka marr frymë të re, edhe më të mirë se sa me Unai Emeryn. Ky i fundit po shfaq shenja që nuk ia do në kampionate. Krejt ndryshe është Sevilla që ndoshta edhe për shkak të fatit në short po shkëlqen si në Ligën e Kampionëve ashtu edhe në La Liga.
Dhe Barcelona rrallëherë ka qenë e lënduar sikur atë natë në Etihad. Nëse jo të dielën, atëherë Sevilla nuk mund ta mposhtë Barcelonën në ditë më të mira.