KOLUMNE
Ngolo Romeo Kante dhe fëmijëria e tij!
Shkruan: Luan MORINA
13 December, 2016 @15:50
Fëmijët – këta engjëj; apo nëse pyetni Herrin dhe Marv, dhe sikur ata keni pasur punë me dikë si i biri i harruar në shtëpi i MekKallisterëve, atëherë ‘fëmijët – këto krijesa djallëzore.’
Megjithatë, a e dini çka është më e lezetshmja tek fëmijët? Kujtesa e tyre shkurt-kohore. Për shembull, nëse punoni me fëmijë parashkollor duhet të ju përsëritni disa herë mësimet gjatë orës, për t’i mësuar më mirë gjërat.
Si rrjedhojë, fëmijët sot janë shokë me dikë, të nesërmen prishen. Ajo çfarë është më interesante janë fjalët që ndryshojnë të nesërmen. Dje ka mundur të jetë shoku e shoqja më e mirë në botë, të nesërmen është pisi më i madh në krejt galaktikën. Pastaj, pas një jave, kur gjejnë gjuhën e përbashkët, përsëri janë më të mirët. Pas dy jave përsëri kthehen në më të këqijtë.
Por, jo vetëm si fëmijë. Për dikë ky proces vazhdon tërë jetën. E dikush mbetet ‘BFF’ me dikë që nga çerdhja.
SI BËHEMI TIFOZË?
Ngjashëm është edhe me futbollin. Të gjithë marrim një ekip në fëmijëri dhe pa marrë parasysh se në cilën ligë jemi, a fitojmë ndonjëherë titull a jo, ne vazhdojmë me ta. Ngjyrat, titulli, lojtari, stadiumi, janë njëqind faktorë të cilët mund të na bëjnë ta duam një ekip. Por, disi është i thumbuar thellë në personalitetin tonë ai ekip me të cilin bëhemi. Dikush e trashëgon atë dashuri, dikush e gjen të kundërtën, e dikush sikur nomad kurrë se gjen veten.
Këta të fundit janë kategoria që na bëjnë të urrejmë ato ekipe e ata lojtarë, e çkado të cilët këta e adhurojnë për një kohë të shkurtër. Këta ndjekin trendin, dhe pos që nuk kanë lidhje me futboll, nuk kanë lidhje as me dashuri ndaj futbollit. Janë tifozë pa kurriz, plastik, sepse ndryshojnë formë ashtu qysh ju përshtatet më së miri. Janë ameba (ja pse jemi kaq poshtë në PISA)
Dhe pasi që janë shumica të tillë, këta gjithë tregojnë trendin, pasi me llajkat e tyre përcaktojnë se çka është në trend e çka nuk është. Nuk kanë njohuri, por thjesht ndjekin njëri tjetrin si delet çobanin. Dhe në periudhën e klikave e llajkave, ka më shumë njerëz që njohin Kim Kardashianin se Aretha Franklinin. Ngjashëm edhe në futboll, Victor Valdes është më i mirë se Lav Yashini, apo Peter Shilton. Por, ngjashëm si Kris Humphries, Jersey Shore e Victor Valdes, jehona e tyre është jetëshkurtër. Për ta askush s’ka pasur dashuri të çiltër, kanë qenë vetëm diçka që i kanë ‘dashur’ shumica për një kohë të shkurtër. Franklinin, Shiltonin, e Garrinchan siç i ka ruajtur historia deri tashti, do të vazhdoj t’i ruaj. Janë më shumë se një fotografi, apo dy rreshta nga kërkimi në Google.
KANTE NË CHELSEA
Përzgjedhja e Ngolo Kantes për të kaluar në Chelsea, fjalët se si e ka dashur ekipin blu të Londrës kanë qenë qesharake ndoshta për shumicën nga ne këtu. Edhe vendosja e Vardyt e Mahrezit për të mbetur në Leicester.
Kante është lindur në vitin 1991 dhe ka qenë në kohën e pubertetit kur Chelsea është blerë nga Abramovich. Por, këtu është problemi më i madh tek ne. Chelsea ka pasur histori e ekip të mirë edhe para Abramovichit. Edhe në të 90tat kanë qenë ekip goxha konkurrent në Premier League e në Evropë. Është gabim trashanik të mendoni se Chelsea, PSG, Manchester City janë ‘krijuar’ vetëm pas blerjeve nga sheikët. Është budallallëk të mendoni se Reali e Barcelona kanë qenë ekipe inekzistente para ‘galaktikëve’ e Guardiolës. Reali ka pasur traditë gjithmonë, ka qenë ekip me emër e me lojtarë cilësor nëpër periudha të ndryshme. Barcelona gjithnjë ka luajtur futbollin që e bën sot, edhe në kohën e Cruyffit e para tij.
Më shkurt, gjithçka që mendoni se po ndodh veç në këtë kohë që ju jeni gjallë, ka ndodhur edhe shumë kohë më herët, për më tepër ka qenë edhe më e mirë – arsyeja kryesore paraja s’ka qenë në plan të parë. As ‘llajkat’ s’kanë pasur peshë. Nuk ka qenë lehtë të shkruash e të japësh një opinion, pasi thjesht është vlerësuar cilësia e jo llajkat plastik.
TOPI I ARTË
Për atë arsye, sot kemi një futboll që gjoja dominohet prej dy vetave e dy ekipeve, krejt faji i marketingut. E nëse këtë e quani ju ‘epokë të artë’ të futbollit, atëherë miq të dashur ju vërtetë keni humbur më shumë se 100 vite histori të kësaj loje të bukur.
E di, është dashur ta përfundoja me paragrafin paraprak, por jo.
Edhe ne kemi nisur të duam një ekip kur kemi qenë fëmijë. Përkundër problemeve financiare e mungesës së suksesit kemi vazhduar të mbetemi me atë ekip. Nuk i kemi shitur shpirtin llajkave e amebave, por kemi vazhduar me tonën. Aq më pak kemi lejuar që një gazetë, apo një opinion, a votim interneti të na gërryej mendimin tonë. Këtë e bëjnë amebat.
Për ta, një vit përzgjedhja e Topit të Artë është absurditet, vitin tjetër është gjëja më reale në botë. Varet se a fiton Messi apo Ronaldo, varësisht cilin e dashurojnë, apo në cilën anë të trendit janë. Ironike apo jo? Eh, fëmija*
* apo më mirë të themi fëmijë e të rritur, ata që shkojnë kah të fryn era, kah të jetë bari më i gjelbër, kah të ketë më shumë llajka (pasi komentet janë të mbushura me gabime fillestarësh të cilat nuk kanë arritur ti mësojnë derisa kanë humbur kohë të përzgjedhin shoqërinë çdo ditë gjatë ditëve të shkollës).