ARBËR ZENELI @ FIFA
Ngritja e përbashkët
Artikulli i fifa.com, përkthyer nga TopSporti.com
18 December, 2018 @18:25
“Gjithçka nisi nga fundi,” nis FIFA.com artikullin për Kosovën, ku flet njëri ndër më të mirët e reprezentacionit tonë, Arbër Zeneli.
Ka më pak se tre vite prej se ky vend i Ballkanit u bë anëtar i 210 i FIFAs dhe tash është triumfues në Ligën D të Kombeve.
“Ka qenë një vit fantastik për ne si shtet. Asnjëherë s’kemi menduar se do të kalojmë tërë vitin pa humbje,” ka thënë Zeneli, një mesfushor që lulëzon nën ngjyrat e Heerenveenit të Holandës.
“Liga e Kombeve ka qenë shkëlqim natyrisht. Ne kërkuam të fitojmë grupin dhe ndeshja e fundit ka qenë fantastike.”
Me hat-trick në fitore 4-0, 23 vjeçari ka treguar se pse është ndër futbollistët me më të dalluar aktualisht.
SHIKO: Rruga për EURO2020
Vetëm Steven Berghuis i Feyenoordit aktualisht ka më shumë asistime sesa Zeneli në Eredivisie. Dhe kjo nuk e bën befasi pse Kaka dhe Cristiano Ronaldo janë të adhuruarit e tij.
Ngritja e Zenelit është pasqyruar edhe në ngritjen e vendit të tij. Kosova është ngritur për 47 pozita në renditjen e FIFAs që prej janarit të këtij viti.
I lindur në Suedi dhe më i vjetri nga tre vëllezërit, futbolli “ka bërë ndikim të madh në familjen Zeneli”. Duke punuar me ekipet suedeze që nga mosha 15 vjeçe, Arbëri e gjeti veten të ndarë kur vendlindja e prindërve të tij e thirri - duke e kërkuar atë shumë më parë sesa që u bë Kosova pjesë e FIFAs.
“Nuk e dija se çka po kërkoja në të vërtetë atëbotë, por pas një kohe ndjeva se kisha marë vendimin e duhur,” ka thënë golashënuesi më i mirë i Kosovës aktualisht me gjashtë gola të shënuara.
SHIKO: Rruga në Ligën e Kombeve
“E ndjeva në zemër dhe shkova pas. Ende asgjë s’më ka bërë deri tash të dyshoj në vendim që e mora atëherë.”
Humbjen 6-0 nga Kroacia e quan “mësim që iu nevojit Kosovës”, ndërsa tash kënaqet me arritjet e vendit.
-Anëtar i plotë i FIFAs?
“Kur u pranuam nga FIFA, unë nuk kam qenë refugjat, por prindërit e mi kanë qenë dhe e ndjeva lumturinë, gjithashtu edhe dëshpërimin pas gjithë asaj që kaluam. Njeriu vetëm dëshiron të luajë për të gjithë ata që kaluan çkamos në atë kohë.”
-Ndeshja e parë ndaj Ishujve Faroe?
“Kur e dëgjon himnin kombëtar për herë të parë dhe gjithkush është aty dhe e dëgjon himnin, ka qenë moment i madh për ne.”
-Ndeshja e parë kualifikuese për Botëror ndaj Finlandës?
“Të kesh mundësi të luash kualifikime për Kampionat Botëror - natyrisht ka qenë grup i vështirë - ka qenë përvojë e jashtëzakonshme, duke parë se si ne i përballemi atyre ekipeve të forta.”
-Fitorja e parë në gara zyrtare ndaj Ishujve Faroe?
“Moment special për ne, pasi që kreu i FFK-së (Fadil Vokrri) kishte ndërruar jetë një muaj më parë. Ai ka qenë njeriu që mundësoi tërë këtë për të cilën po bisedojmë ne. Gjithmonë do të jemi falenderues ndaj tij.”
-Triumfi në grupin e Ligës së Kombeve?
“Natë e trentë. Azerbejxhani pritej që të kualifikohej me fitore, por ne dolëm me një plan dhe bëmë punë perfekte në fushë.”
Ndërkohë tash, në kualifikimet e para për një Kampionat Evropian, Kosova do të ndeshet me reprezentacione tjera me emër gjithashtu, si Anglia e Çekia.
“Ne e dimë që kemi siguruar Play-Offin përmes Ligës së Kombeve, por kjo nuk do të thotë që do të jemi nonshalant përgjatë kualifikimeve. Pse mos të marrim biletën nëse mundemi! Nuk kemi çka të humbim. Nëse nuk shkon këndej, kemi dy ndeshje tjera në anën tjetër ku mund të riparojmë gjithçka. Do të jetë shumë interesant viti i ardhshëm,” ka përfunduar Zeneli.