KOSOVA U21
Nisin stërvitjet për ndeshje ndaj Irlandës
Teksti: FFK
4 September, 2018 @12:02
Përfaqësuesja U21 e Kosovës ka filluar dje përgatitjet për ndeshjen kundër Irlandës, që do të zhvillohet, të premten, në orën 19:00, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, në kuadër të Grupit 5 për kualifikimet e Evropianit 2019.
Në stërvitjen e parë, e cila u mbajt në fushën “Top Football” në Mazgit, përzgjedhësi Rafet Prekazi me ndihmësit, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, kishin në dispozicion po thuajse tërë futbollistë, pasi munguan vetëm Valmir Sulejmani, Mirlind Daku e Florent Hasani, që kishin ndeshje të dielën dhe do t’i bashkohen grupit në orët e mbrëmjes.
Ndërkohë, prurjet e reja Fuad Rrahimi, Leard Sadriu, Medjon Hoxha, Dardan Karimani, Dilan Qela e Edmond Ramadani u ambientuan shumë shpejtë me grupin tjetër të futbollistëve dhe u shprehën të entuziazmuar me pritjen e bashkëlojtarëve dhe harmoninë brenda ekipit të Kosovës U21.