TRAJNERI I DRITËS
Nuhiu: Nxjerrim maksimumin nga pushimet
1 September, 2021 @0:41
Përkundër se Superliga po shkon në pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtareve në shtator, skuadra e Dritës po vazhdon me intensitet të njëjtë stërvitjet, ndërsa trajneri Ardian Nuhiu ka thënë se do t’i sjellë në gjendje stabile futbollistët që nuk janë në formë ende.
Në një deklaratë dhënë për llogarinë e klubit në Facebook, Nuhiu ka thënë:
“Do të shfrytëzojmë këto ditë për futbollistët që nuk janë ende në formë për t’i sjellë te më e mira e tyre. Do të kemi edhe ndeshje miqësore dhe futbollistët do të marrin minutat e tyre për të qenë të gjithë gati për ndeshjet e radhës. Edhe dy lojtarët Arbnor Muja dhe Agim Zeka që kishin shqetësim, tani ato i kanë lënë anash dhe do të jenë gati. Na gëzon fakti që do të kemi komplet grupin më në fund dhe besoj do jemi në maksimumin tonë,” kanë qenë fjalët e Nuhiut.
Drita në prag të përgatitjeve veçse ka aranzhuar miqësore me Kosovën U21, ndërsa i kthehet Superligës më 11 shtator në ora 16:00, kur luan ndaj Malishevës.